Vllaznia dhe Tirana do të përballen ditën e nesërme në orën 20:00 në supersfidën e vlefshme për javën e dytë të Superiores. Përpara këtij dueli ka folur portieri i bardhebluve Gentian Selmani, i cili në prononcimin e dhënë për mediat, ndër të tjera deklaroi:
“Është një ndeshje e fortë, mes dy ekipeve me shumë traditë. Ne jemi përgatitur në maksimum, kemi studiuar dhe me video-analizë të ndeshjes së fundit të kundërshtarit me Partizanin. Do shkojmë të japim më të mirën. Ne gjithmonë luftojmë për fitore, do mundohemi të marrim pikët maksimale.
Ne jemi krijuar një ekip me lojtarë të rinj. Jemi përshtat mirë me njëri-tjetrin pasi luajtëm dhe në Kupat e Europës ku kemi zhvilluar paraqitje të mira, por kemi vend për t’u përmirësuar. Do mundohemi t’i marrim ndeshjet me radhë. Është “Final 4” që vendos. Do punojmë shumë të jemi aty në fund dhe të luftojmë për kampion.
Unë gjithmonë jap maksimumin. Tani mendoj jam rikthyer më i fortë, ndihem mirë psikologjikisht dhe fizikisht. Do punoj fort dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin në çdo ndeshje duke dhënë vetëm paraqitje të mira”, u shpreh Selmani.