Nga Endri ÇINARI
Ishin dy goditjet më të rëndësishme të merkatos verore jo vetëm tek Vllaznia, por në mbarë Superioren. Fjala është për dyshen Sherif Kallaku dhe Lirim Kastrati, që vetëm para pak ditësh u zyrtarizuan në rradhët e kuqebluve. Lëvizje që kanë rritur shumë pozitivitetin dhe optimizmin në Shkodër, duke parë që janë afruar në skuadër futbollistë që mund të bëjnë diferencën. E që patjetër mund të ndihmojnë skuadrën në objektivin që pritet të jetë kthimi i titullit kampion pas 24 vitesh në Shkodër.
Kështu kurioziteti i të gjithëve ka qenë i madh për të ndjekur dyshen e re në aksion. Aq sa tribuna kryesore e “Loro Boriçit” ishte thuajse totalisht e mbushur në ndeshjen e fundit miqësore ndaj Kukësit. Duel të cilin shkodranët e fituan me shifrat 4-3, por që në fushë zbriti vetëm Kastrati. Sulmuesi u prezantua si titullar në duelin ndaj verilindorëve, duke qëndruar në fushë deri në minutën e 60-të të takimit.
Pavarësisht se nuk arriti të shënonte gol, iniciativat e 26-vjeçarit morën duartrokitjet e publikut shkodran. Që vlerësuan shpirtin e garës së ish-futbollistit të Dinamo Zagreb, por edhe disa driblime që tregojnë për cilësitë dhe klasin që mbart Kastrati. I cili nga ana e tij nuk gëzon ende formën më të mirë fizike dhe kjo ra në sy edhe në miqësoren ndaj Kukësit. Kjo edhe për shkakun se ai është bashkuar me skuadrën vetëm para 10 ditësh, e i duhet pak kohë të kapë ritmin e plotë.
Nga ana tjetër me skuadrën ende nuk ka debutuar Kallaku, me mesfushorin që pritet të zbresë në fushë në miqësoren e rradhës ditën e shtunë. Ku kuqeblutë do presin në Shkodër, ekipin e Besës, për të mbyllur përgatitjet verore. Edhe për fushëkrujasin kurioziteti është i madh, por edhe për atë vlen fakti se gjendja fizike nuk është në 100%, për shkak të mungesës së stërvitjeve. Tashmë tek Vllaznia kërkojnë që të dy futbollistët të “ngrohin” mirë këmbët para nisjes së sezonit të ri.
Ku si nga Kastrati dhe Kallaku pritet të bëhet diferenca, si dy nga futbollistët kryesorë jo vetëm të kuqebluve, por edhe mbarë Superiores në sezonin 2025-26.(www.shkodrasport.com)