Anderson Filipi do të vijojë të jetë pjesë e Tërbunit. Ai ka rinovuar kontratën edhe për sezonin 2024-2025. 22-vjeçari ishte një element i rëndësishëm për skuadrën pukjane gjysmën e parë të sezonit, por më pas pësoi një dëmtim që e mbajti gjatë larg fushës së blertë. Tashmë, ai do të jetë i gatshëm për sezonin e ri dhe ka vendosur që të jetë sërish pjesë e skuadrës së Tërbunit. Në një deklaratë të dhënë për “Shkodra Sport”, mesfushori i cili mban edhe shiritin e kapitenit të kësaj skuadre ndihet i lumtur për një gjë të tillë.

“Kam vendosur të rinovoj me ekipin e Tërbunit. Kjo erdhi pasi pashë projektin që drejtuesit e Tërbunit kanë për sezonin e ri, ku do të kërkohet me ngulm ngjitja në Kategorinë e Parë. Kam firmosur një kontratë një-vjeçare me Tërbunin. Kështu që, edhe sezonin e ardhshëm do jem këtu. Unë kam patur një dëmtim të rëndë që më ka mbajtur gjatë larg fushave, por jam stërvitur individualisht dhe ndihem gati për sezonin e ri.

Vitin e kaluar, ekipi bëri një performancë të mirë dhe kapi “play-offin”. Për këtë jam i kënaqur, edhe pse dëshira ishte e madhe që të vazhdonim më tej. Megjithatë, këtë do ta tentojmë sezonin e ri. Në planin personal, mendoj se ndihem mirë dhe gati. Do japim maksimumin, pasi kam “etje” për të luajtur sezonin e ri me Tërbunin.

Do jem kërkues ndaj vetes vitin tjetër dhe pse jo, të arrij të shënoj sa më shumë që të ndihmoj Tërbunin. Kam besim se deri në fund të merkatos, drejtuesit do të afrojnë futbollistë cilësorë në merkato. Kryetari i Bashkisë, Rrok Dodaj dhe drejtori teknik, Alfred Pjetri, me sa di unë, po punojnë shumë për një gjë të tillë.

Duhet të përforcohemi akoma për t’ia dalë me sukses sezonin e ri, në mënyrë që të ngjitemi në Kategorinë e Parë. Shpresoj që, të gjithë bashkë t’ia dalim ta ngjisim Tërbunin në Kategorinë e Parë”,-përfundoi 22-vjeçari në prononcimin për “Shkodra Sport”.
Sezonin e kaluar me Tërbunin, Anderson Filipi u aktivizua në 18-ndeshje, por pa arritur dot të shënojë ndonjë gol.
Maringlen ZHIVANI