“Abissnet Superiore” ka luajtur vetem tre javet e para te saj dhe sigurisht qe tashme ka nje ide te qarte per secilen prej 10 skuadrave pjesmarrese ne te. Megjithate duket se eshte ende heret per te pare fizionomine e plote te tyre. Specialisti i futbollit Sulejman Starova ne nje interviste per “Panorama Sport” ka bere nje analize te skuadrave, perfshire ketu edhe Vllaznine.
“Në përgjithësi më ka pëlqyer kampionati në këto tre javët e para. Ishim pak të painformuar mbi formën dhe cilësinë e skuadrave gjatë fazës përgatitore, pasi nuk po shihnim shumë ndeshje dhe nuk kishim informacion. Tani kam parë një fillim shumë premtues. Për shembull Tirana është paraqitur mirë, duke i nisur nga fakti që kanë ndryshuar ekipin.
Te Partizani janë bërë gjërat më interesante pas ardhjes së trajnerit të ri. Fitoi një transfertë të rëndësishme në Durrës. Dinamo ishte pranë fitores në Ballsh, humbi me dramë. Të gjitha këto i them për të vërtetuar atë që faktin që mua më pëlqen. Është një fillim, që premton për konkurrencë të madhe deri në fund.
Egnatia mund të them se dihej, sepse ka pasur vazhdimësi në merkato dhe është forcuar sa i përket ardhjeve. Në fund mori një lojtar si Ujka, të cilin e donte edhe Partizani. Mori një nga lojtarët më të mirë. Egnatia është sërish favorite dhe pretendon për titullin. Ka shumë gjasa që të luftojë deri në fund.
Sa i përket Partizanit, shoh që ka ardhur një trajner profesionist, që besoj se do të ketë ndikimin e vet në ekip. Të kuqtë i shoh si konkurrentë të Egnatias. Vllaznia nuk e ka nisur mirë, në një kohë kur unë kam mendimin se është më e fortë se vjet, por duket se po i mungon Gruda dhe ka pasur probleme. Por mendoj se herët apo vonë, do të jetë edhe ajo mes ekipeve që luftojnë për vendet e para”.