Opinion nga BESNIK DIZDARI

Të shtunën Vllaznisë së Shkodrës nuk i është miratuar një gol i bukur në të gjitha kahet. I bukur sepse ishte një gol që vinte prej një teknike gjuajtjeje harkore shembullore. I bukur sepse futbolli europian i së shtunës që shkoi ka regjistruar një gol të rrallë. Një gol që nuk ka prekur as rrjetën, as tokën.

Madje, një gol në duart e portierit në ajër e sipër. Dhe deri më sot nuk di të ketë pasur një gol kësisoj të një topi të pritur madje me elegancë prej një portieri.E pra, në të vërtetë, ai (me pak kakofoni) ishte një gol po i vërtetë. Jo thjesht sepse portieri ishte përtej vijës së ashtuquajtur “fatale” me të gjithë trupin e tij, por sepse ai ishte brenda portës së bashku me topin, atje lart, përtej shtyllës horizontale. Dhe nuk ka punë moviole këtu.
Gjithçka është e qartë si vetë situata e Vllaznisë së Shkodrës në rrezik rënieje… E tash, a do të ketë mbledhje gjyqtarësh, “kritika” burokratike ndaj tyre, “kërcënime” zyrash FSHF-iste herë-herë me një ton sundues e të pamëshirshëm? Apo thirrje presidentësh e gazetarësh, ide bojkotimesh e mospranimesh? Nuk besoj. Nuk besoj se do të ketë.
Dhe një shembull në të mirë të këtij mosbesimi e dha trajneri i Vllaznisë Armando Cungu, i cili është një nga zbulimet më të rëndësishme të trajningut të viteve të fundit në Shqipëri. Kështu, me çka lexova në “Panorama Sport” në numrin e së dielës, prej fjalëve të tij u kuptua se ai nuk ka ndër mend të ankohet dhe as të kërkojë diçka. Vetëm tha pak a shumë se “ende besoj, e se do të vazhdojmë punën tonë, përpjekjet tona”…
Ky është dhe kuptimi më i drejtë dhe më “fair play” për vetë futbollin. Ngaqë përherë ka pasur, ka dhe do të ketë gabime gjyqtarësh. Jo në këtë Kampionat të vogël e me aq pak cilësi si ky i Shqipërisë, i cili deri dhe Kombëtares së saj për gjithë këto kohë nuk po i prodhon lojtarë, por gabime gjyqtarësh, deri dhe në ndeshjet më vendimtare të Kupës të Botës ka pasur, ka e do të ketë. Nuk mendoj se janë vetëm gjyqtarët fajtorë.

Për shembull, çka janë delegatët dhe vëzhguesit e ndeshjeve në Shqipëri, shumica e të cilëve janë po nga Tirana e pranë FSHF-së, gjithnjë brenda këtyre mureve “stoikë” e të njëanshëm? Çka relatojnë e sa ndihmojnë me trimëri apo paanësi këta njerëz që mbesin disi në hije, ndonëse çuditërisht u del emri për javë në gazeta si në asnjë vend tjetër të Europës apo të botës?

Ndërkohë që, siç po shihet, fare pak po ndikojnë për t’u pakësuar gabimet e gjyqtarëve. Kur dihet se më e rëndësishmja është që të luftohet për të formuar gjyqtarë të mirë, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë qytetet e Shqipërisë. E që kësisoj të mbërrijmë te paanësia e gjyqtarit, pra që ai të mos gjykojë skuadrën e qytetit ku ai jeton – siç është me shumë vend kërkesa e Skënderbeut të Korçës.

Pa shkuar mandej tek ajo tjetra, se si po ndodh që FSHF pranon që prej tyre të dalin në televizione e të gjykojnë publikisht po ata gabimet e gjyqtarëve. Çka po bën që edhe në këtë rast, kur thuajse gjithë Europa e futbollit ka hequr dorë prej moviolës, vetvetiu ta shndërrojnë këtë moviolë “origjinale” shqiptare thuajse në një kërcënim që lëkund tejet figurën e gjyqtarit dhe përçan jo pak shoqërinë futbollistike publike.

Dhe kështu pra, edhe për shkak të mungesës së këtij goli spektakolar të Vllaznisë në ndeshjen me Laçin, ndoshta asaj i janë rrëmbyer me pa të drejtë dy pikë të tjera shpëtimtare! Dhe ndërsa dihet se nuk është hera e parë që asaj i sulen fatalitete të tilla, kuptohet edhe më qartë situata tejet e rëndë e skuadrës së Shkodrës në rrezik rënieje një kategori më poshtë.

Që dihet se është thjesht Kategoria e Dytë, të cilën të nxituarit e sotëm që merren me futbollin kombëtar vazhdojnë ta quajnë “kategori e parë”! Ndonëse përmbi 60 vjet ky ka qenë emërtimi zyrtar i vetë Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, këtij që me artificialitet e me pompozitet sot quhet “Superliga”.

Njësoj si supersfida, supergoli, superndeshja, supergjuajtja, supergoditja, superpritja, superemisioni, supertransmetimi! Apo edhe qoftë superhimni i Kombëtares që kërkon të zhdukë (nuk besoj se do t’ia arrijë) atë që natyrshëm u bë himni i Kombëtares (“Xhamadani vija-vija”).

Dhe, pa u zgjatur me të gjitha këto tema që shpresojmë t’i trajtojmë hap mbas hapi, le të qëndrojmë tek ideja parësore e këtij editoriali, ide që kërkon të “argumentojë” se do të ishte mirë që skuadra e Shkodrës mbas plot 60 vjetëve të rënies së saj të parë (1956) dhe mbas plot 55 vjetëve (1961) të rënies së saj të dytë, të binte pra.

Që kështu të “festonte” së bashku dy vite “të mëdha” jubilare, çka asisoj do të bashkoheshin me rënien e tretë të skuadrës më të vjetër të Shqipërisë. Ajo që dihet se është themeluesja e kampionateve të futbollit në Shqipëri (1925-1926). Është vërtet interesante se si ndodhi që kur Vllaznia ra më 1961 dhe më 1962 luajti në Kategorinë e Dytë, Partia e asokohe, mbasi e kuptoi që pa Shkodrën Kampionati i Shqipërisë nuk ka hijeshi, papritmas i shkeli të tëra rregullat. Pranoi që në vitin 1962 Shqipëria të mos kishte kampione, e shtyu kampionatin për në motërzimin (variantin) vjeshtë – pranverë 1962-1963. Dhe mandej kulmi i shkeljes: e ftoi edhe Vllazninë të luante në këtë Kampionat, duke u bërë skuadra shkodrane e vetmja skuadër ndoshta në botë, që edhe pse ka rënë dy herë në kategorinë e dytë të shtetit të saj, në Kampionatin Kombëtar ajo ka munguar vetëm 1 herë!

Ndërkaq, do të ishte vërtet e bukur rënia e Vllaznisë në këtë 2016, sepse mbas ndërtimit të Stadiumit Kombëtar “Loro Boriçi”, Shqipëria do të bëhej shteti i vetëm në Europë ku Kombëtarja e saj do të luante në stadiumet moderne të dy qyteteve, të cilët nuk do t’i kishin skuadrat e tyre pjesëmarrëse në Kampionatin Kombëtar: Vllaznia e Shkodrës dhe KS Elbasani, i cili ndoshta po përfundon në Kategorinë e Tretë!

Do të ishte kështu shumë e mirë dhe kuptimplote rënia e Vllaznisë në Kategorinë e Dytë, sepse me ardhjen e mundshme mbas 54 vjetëve të Korabit të Peshkopisë, Kampionati i Shqipërisë do të vendoste edhe një rekord tjetër, duke u shndërruar ndër më origjinalët në Europë ku e pakta katër skuadra të 9 qyteteve të vetme pjesëmarrëse në këtë Kampionat nuk do të kenë të katra së bashku një popullsi më të madhe sesa çka e ka sot vetëm Shkodra, apo vetëm Elbasani, apo vetëm Fieri!

Pra Kukësi, Laçi, Peshkopia e Ballshi për arritjen futbollistike të të cilëve sigurisht që duhet të kemi respekt të madh. Do të ishte vërtet e bukur dhe e mirë rënia e Vllaznisë, sepse Kampionati i Kategorisë Dytë (asaj që “çmendurisht” quhet e Parë) do të ishte më i pasur, teksa do të kishte brenda tij Shkodër e Kavajë, Elbasan e Berat, Lushnjë e Fier, ndoshta edhe Gjirokastër! Pa shkuar te Dinamo, shkatërrimi i së cilës nuk përbën më problem sepse te ky klub i ndritshëm i historisë së Shqipërisë mbasi është shkatërruar volejbolli i femrave dhe i meshkujve – ndër më të fortët në Europë – e madje edhe atletika e lehtë e deri diku edhe basketbolli, nuk përbën më problem shkatërrimi i skuadrës së futbollit 18 herë Kampione e Shqipërisë!

Kësisoj, them se rënia e Vllaznisë do t’i shërbente një historie “të re” sociale, politike e gjeopolitike të zhvillimit të sporteve shqiptare që do të çudisë Europën. Do të ishte kaq e bukur e kuptimplote rënia shkodrane e shekullit XXI, sepse do t’i shërbente vetë relievit futbollistik të Shqipërisë, ku malet do të bëheshin kodrina e fusha të buta dhe fushat do të bëheshin kodrina e male të fortë.

Do të ishte vërtet e diçka e mirë dhe spektakolare rënia e Vllaznisë, sepse ajo do të vërtetonte për bukuri sloganin servil FSHFist që thotë se ky është kampionati më i bukur i mbas viteve ’90! Dhe pa u çuditur fort se si e lejojnë redaksitë këtë mashtrim dhe rrènë të pafalshme historike në faqet e shtypit e ekranet e televizioneve! Mirë- po, ku ka kampionat më të bukur se ky i Shqipërisë që degdis jashtë vetes qytetet më tradicionale të futbollit?… Është vërtet e bukur dhe e mirë që të bjerë Vllaznia e Shkodrës, edhe sepse rënia e saj do të provonte se sa madhështor është një kampionat me vetëm 10 skuadra, ku mjafton të jesh i 9-ti në shtetin tënd dhe të flakesh tej.

Rënia e Vllaznisë do të provonte kështu se bota po ndërron, se traditat po shkatërrohen, se spektatori po ikën! Është e bukur të bjerë Vllaznia në Kategorinë e Dytë, sepse atëherë do të zgjohen një herë e mirë forcat deri tash të përgjumura të mbarështrimit të futbollit kombëtar, që u janë nënshtruar kësisoj disa organizimeve fatkeqe futbollistike. Çka po i ndihmojnë gjithnjë e më fort shkatërrimit të skuadrave të traditës, jo vetëm të një Shkodre, por përsëris: edhe të një Kavaje e Elbasani, të një Berati e Lushnje, të një Fieri e ndoshta edhe të një Gjirokastre!

Kësisoj, jam i sigurt se mbas rënies së Vllaznisë, Shqipëria do të tronditet jo thjesht për Shkodrën, por edhe për Kavajën, Elbasanin, Beratin, Lushnjën, Fierin apo Gjirokastrën! Dhe mandej besojmë se nuk do të ketë më presidentë skuadrash a klubesh, të cilët, të bindur deri në përultësi ndaj një lidershipi fort sundues, të vazhdojnë të ngrenë duart lart në asamble FSHF-iste për kësi organizimesh që flakin tej traditat e futbollit kombëtar.

Dhe përse? Vetëm e vetëm që të bëjnë një Kampionat me vetëm 9 qytete ngaqë kështu e paskan vetëm nja dy shtete në Europë! Për fat, duke harruar se për kah cilësia e lartë, Kategorinë e Dytë ata e kanë gati njësoj si të Parën. Madje të bashkuar në një, jo veç Veriu e veç Jugu apo të ndarë në Gegë e Toskë si Shqipëria. Tema të vjetra tashmâ këto… Le të shpresojmë ndërkaq se për të gjitha këto “bukuri” lirike, Vllaznia do të bjerë pra!

Për të kaluar në epikën e futbollit shqiptar, kur dihet se futbolli është më fort epik se lirik. Dhe besoj se do të jetë pikërisht kjo që do të trondisë e do të mpakë forcën “kryeforte” të një lidershipi që do të mbahet mend se përjashtoi prej Kampionatit të Shqipërisë qytetet e vërteta të futbollit. Mos kujtoni se këtë editorial e bëra vetëm për Shkodrën, të cilës i përkas.

E bëra edhe për skuadrat e Kavajës, Elbasanit, Beratit, Lushnjës, Fierit apo Gjirokastrës e Dinamos 18 herë kampione, të cilat si shqiptar e si gazetar i kam po aq të miat. Le të bjerë Vllaznia pra! Është për hir të kuptimit real të kohës absurde që kalon futbolli kombëtar, në mënyrë që mandej ai të kalojë në themele realiste të reja kombëtare. Ndërkaq, krejt papritmas po mbes disi i shtangur, teksa kjo rënie po më duket pak si therori i Rozafës për ngritjen e kështjellës legjendare buzë Drinit?…