Në garat e Kampionatit Ballkanik të sallave të mbyllura të zhvilluara tre ditë më parë në Stamboll ka arritur të kërcejë 7.41 m dhe të zërë vendin e shtatë. Natyrisht një rezultat jo aty ku pritej por Izmir Smajlaj personalisht është i kënaqur me këtë rezultat. Pas kthimit nga Turqia, për shkodrasport.coml, ai do të shprehej: “Jam i kënaqur me këtë rezultat sepse realisht kam vetëm një muaj stërvitje të plotë. Përpos kësaj, ky është rezultati im më i mirë në këtë periudhë të vitit, çka tregon se gjërat do vijnë duke u rregulluar. Natyrisht që një pengesë e madhe për mua ka qenë stërvitja në kushte aspak të mira për shkak të prishjes së stadiumit “Loro Boriçi”, megjithatë duhet të bëjmë diçka. Jo më kot, kemi filluar të shkojmë në Tivar të Malit të Zi bashkë me profesor Tufin dy herë në javë për t’u stërvitur atje në tartan dhe besoj se gradualisht do të kapë formën time më të mirë”. Vështirësitë për stërvitje janë por gjithsesi Smajlaj ka gjetur edhe mbështetje. Si nga Federata, ashtu edhe nga klubi Vllaznia por edhe donatorë të ndryshëm. Kështu, Ylber Dibra, një shkodran me banim në Itali, i ka sjellë para pak ditësh të gjithë bazën materiale për stërvitje dhe gara. Po ashtu, Luan Heta, pronari i palestre sportive, ia ka mundësuar stërvitjen aty për një vit të tërë falas. Në rrethana të tilla, atleti shkodran tashmë ka shpallur edhe objektivat e tij për vitin 2016. “Sigurisht që objektivi madhor është Olimpiada. Siç e dini, në Federatën tonë ka ardhur një ftesë për djemtë dhe në garë për ta marrë atë ftesë jemi tre sportistë: unë, Adriatik Hoxha dhe Eraldo Qerama. Do të shihet ecuria jonë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe kush do të grumbullojë më shumë pikë olimpike, do të jetë në Rio. Natyrisht që unë shpresoj shumë për ta merituar këtë ftesë dhe jam i bindur se do t’ia arrijë. Përpos kësaj, objektivi im tjetër është thyerja sërish e rekordit në garën e kërcimit së gjati dhe unë bashkë me trajnerin tim synojmë kalimin e distancës prej 8 metrash”- ka thënë atleti shkodran.
Gjergj KOLA