Shqipëria u mposht 2 me 0 nga Çekia në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Gjithçka nisi në orën 20:45 mes dy përfaqësuesve në Çeki dhe u vendos me 1 gol në çdo pjesë. Kjo humbje vendos Shqipërinë në vendin e tretë me 3 pikë, po aq sa dhe Ukraina.

Pas ndeshje foli Qazim Laçi.

“Besoj ajo nisja e shpejtë me 1-0 na prishi pak lojën që kishim në mendje. Kishim detyrim të bënim më mirë fillimin se e njohim që Çekia do luante me top të gjatë dhe do mundohej të shënonte. Gol. U munduam, nuk bëmë si kishim menduar e planifikuar.

Ishte Bajrami që bëri një goditje të mirë, ishte afër golit. Por fillimi i keq na theu pak këmbët dhe na prishi planet, por ne vazhduam të bënim një lojë jo aq të keqe në pjesën e parë. Ne kishim raste, nuk e bëmë dhe pastaj erdhi goli i dytë dhe aty mbaroi loja.

Më pak sulme në zonë nga unë? Ishte planifikuar nga Çekia se me njohin, por e bëri Asllani tre herë, dy herë në pjesën e parë, edhe në të dytën. Por nuk eci si e kishim menduar.

Fillimi i lojës me topin e gjatë, na ndikoi shumë. Humbëm shumë mendoj topin e dytë, kështu e ndjeva unë personalisht. Atje humbëm pak lojë ne, se në pjesën e parë pas golit, nuk arritëm të mbajmë topin dhe qarkullojmë. Bëmë raste e aty nuk erdhën. Në pjesën e dytë me rastin e Asanit, mund të bënim një gjë më të mirë, por e thashë që ajo 2-0 na fiku dritën”, tha Laçi për “SuperSport” pas ndeshjes.