Futbolli është paralizuar nga virusi. Në të gjithë Europën, kampionatet elitare apo edhe ato europiane, kanë pësuar probleme. Shtyrje ndeshjesh, pezullim, zhvillim pa tifozë. Alarmi, ditën e djeshme ka prekur edhe vendin tonë, menjëherë sapo instancat shtetërore të shëndetësisë zyrtarizuan dy rastet e para me persona të dyshuar si të prekur nga Koronavirus.

Loro Borici Panorame 2

Kësisoj, situata mund të kërkojë edhe pezullim të aktiviteteve sportive (siç kërkohej nga vendimi i djeshëm i qeverisë shqiptare deri më 3 prill). Bazuar në të dhënat e gazetarit të shquar Besnik Dizdari, i cili është shumë diskret me historinë e futbollit shqiptar, kampionati në vendin tonë nuk njeh pezullime të përkohshme me përjashtim të atij të vitit 1997. Kampionat i cili gjithsesi, rinisi në një periudhë të dytë me ndeshjet e luajtura të gjitha në Tiranë.

“Për periudha një apo dyjavëshe, mund të ketë shumë përgjatë gjithë historisë së kampionateve të futbollit në Shqipëri. Por, jo për arsye të sëmundjeve apo viruseve. Ka pasur ndërprerje mbase edhe për tërmetin apo për ndonjë festë, por jo të situatave që po afrojnë të ngjasin tani në vendin tonë”, shprehet fillimisht Besnik Dizdari, i cili më poshtë shpjegon edhe datat e ndalesës së kampionatit në histori.

1938

Në Shqipëri është zhvilluar kampionati i vitit 1937, por ai i vitit 1938 nuk është luajtur për arsye financiare. Më tej, është bërë Kupa e parë e Shqipërisë. Më pas, me ardhjen e Italisë fashiste, janë luajtur 3 kampionate: 1939, 1940, 1942. Më tej, me vendosjen e sistemit komunist, nga viti 1945 e më tej, janë luajtur rregullisht kampionatet.

1948

Në bazë të të dhënave të botuara nga Besnik Dizdari, në librin e tij “Për Historinë e Kampionateve”, por edhe vazhdimisht në “Panorama Sport”, në vitin 1948 ka ndodhur një ndryshim formule. Në përfundim të kampionatit të vitit 1947, u luajt dhe u shpall ekipi kampion, partia kërkoi që të bëhet kampionati me formulën e vendeve perëndimore. Pra në vitin 1948, partia kërkoi ta bënte kampionatin vjeshtëpranverë. Megjithëse në vitin 1948 ishte shpallur ekipi kampion, nisi rreth muajit shkurt dhe përfundoi në pranverë, për herë të parë u vendos të bëhej kampionati i sezonit 1948-1949. Ky kampionat nisi dhe u luajt faza e parë, në mënyrë shumë serioze, shumë të plotë. Partizani doli i pari në këtë fazë të luajtur. Mirëpo, pas prishjes me ish-Jugosllavinë partia e quajti këtë formulë si një kopjim jugosllav dhe e zhduku këtë kampionat.

Viti 1969

Shqipëria ka një vit, që nga vendosja e komunizmit e deri më tani, pa një ekip kampion. Kjo ka ndodhur në vitin 1969. Edhe në këtë vit është bërë kampionati i sezonit 1968-1969. Në vitin 1968 u bë kampionati dhe Tirana u shpall kampione. Në vitin 1969 kampionati nuk është zhvilluar edhe për arsye politike, duke qenë se ishte 25- vjetori i çlirimit të vendit. Për këtë, në vend të kampionatit është zhvilluar Kupa e Çlirimit. Më tej, ka nisur kampionati i vitit 1969-1970.

Viti 1997

Kampionati në vitin 1997 u luajt pas ndërprerjes dhe u vendos të bëhen të gjitha ndeshjet në Tiranë. U luajt deri në muajin janar. Në shkurt u ndërpre për çfarë ndodhi në atë vit. Në verë, u vendos që kampionati të luhej në Tiranë. Ishte Flamurtari në krye të atij kampionati dhe me ndeshjet e luajtura në verë, e humbi kampionatin.