Pasditja e së shtunës ka dhuruar shumë emocione për sportdashësit shkodranë të cilët janë kënaqur duke parë jo vetëm ndeshjen e basketbollit të meshkujve por edhe atë të volejbollit të femrave në mes Vllaznisë dhe Partizanit.

Një sfidë që shkoi në set final dhe në fund në fakt, kanë qenë volejbollistet kryeqytetase që u treguan më të sakta dhe fituan 3-2 por volejbollistet e Vllaznisë kanë marrë duatrokitje të shumta sepse dhanë maksimumin e tyre.

Njëra prej tyre që bëri një paraqitje shumë të mirë ka qenë padyshim edhe Antoneta Molla, e cila është një nga volejbollistet kryesore të Vllaznisë.

Por nëse ajo dhe shoqet e saj janë mërzitur jo pak mbrëmjen e së shtunës ngaqë nuk fituan në fushën e lojës, Molla dje e ka patur festë. Ka mbushur 21 vjeç dhe për rrjedhojë ka festuar gjatë me shoqet dhe familjen e saj.

Njëkohësisht në profilin e saj, volejbollistja simpatike ka postuar edhe disa foto të bëra enkas për këtë ditë të veçantë.
© shkodrasport.com