Bruno Fernandes u përball me një dilemë shumë të madhe këtë verë, pasi mori një ofertë marramendëse financiare nga klubi i Al Hilal në Arabinë Saudite. Klubi i Riadit ishte i gatshëm të paguante më shumë se 120 milionë euro për transferimin e tij, por Fernades refuzoi, pasi dëshironte të vazhdonte të luante në futbollin elitar europian.

Vetë lojtari ka treguar për “Sky Sports” se pse erdhi refuzimi dhe vendimi për të mos u larguar nga Mançester Junajtid. “Nuk i kam përmbushur ende ëndrrat e mia këtu.

Mendoj se ende mund të kontribuoj diçka në klub, që të mund të jem i dobishëm për të. Do të jem këtu derisa klubi të më thotë “Bruno, është koha për të ikur”. Natyrisht, e di se ishte e vështirë për klubin kur thashë jo sepse ishte një shumë e madhe parash që Junajtid ndoshta nuk e ka marrë që kur Kristiano u largua, ai ishte lojtari i fundit për të cilin morën kaq shumë para”.

Do të ishte një marrëveshje fitimprurëse jo vetëm për Mançester Junajtid, por edhe për të. Al Hilal i ofroi atij një pagë prej më shumë se 800000 eurosh në javë, një total prej 200 milionë në dy sezone. Por lojtari portugez shpjegoi se kërkonte ende diçka tjetër. “Ishte një propozim shumë ambicioz. Do ishte një nënshkrim i lehtë, madje edhe në nivel familjar. Unë kam Kanselon atje, kemi një miqësi të shkëlqyer. Por dua të qëndroj në nivelin më të lartë, duke luajtur në garat më të mëdha. Ndihem i aftë për këtë”, tha kapiteni i Mançester Junajtid.