“Mungesë lidershipi! U bëmë më të butë seç duhet me serbët!”. Ky është definicioni që i vendos Rudi Vata performancës së Kombëtares shqiptare pak ditë më parë. Ish-kapiteni kuqezi, për “Panorama Sport”, shprehet se Gjimshiti është një djalë fantastik, por një lider i heshtur.

Ai mendon se Manaj nuk duhet kryqëzuar, ndërsa Silvinjo paguhet për të mbajtur presionin dhe kritikat. Vata jep një koment edhe për ndeshjen e kthimit në Serbi apo tre lojtarët kryesorë si Ramadani, Asani dhe Bajrami, që tashmë nuk po luajnë më.

Rudi e mbyll duke u shprehur se një mrekulli mund ta çojë Shqipërinë në Botëror dhe gjithashtu ka një koment për të gjithë ata që e quajnë tradhtar.

Bie dakord që kësaj Kombëtareje i mungon një Rudi Vatë apo një Lorik Canë brenda në ekip, një lider?

Shumë dakord. Por, lidershipi lind, nuk bëhet. Lideri duhet të jetë pak i egër. Po të kesh idenë e Roi Kin, Gatuzo, të cilët janë futbollistë që janë ndërtuar për të futur një energji në skuadër. Ne kemi shumë djem të butë në ekip, të sjellshëm, kur duhet të kesh edhe ndonjë “djalë të keq”. Dikë që zgjon nga gjumi skuadrën, sepse futbollisti ka një veti, që shpeshherë në fushë truri mund të flejë, si puna e kalit që e zë gjumi në këmbë. Një moment humbet përqendrimi, në atë moment pësohet goli, sidomos ku lodhja vjen në minutat e fundit. Pra, është kapiteni ai që zgjon skuadrën, që i jep atë energji që ne për fat të keq na mungon.

Kjo energji mungonte për të marrë atë fitoren e shumëpritur me Serbinë?

Serbia erdhi për atë rezultat dhe ne nuk bëmë më shumë për të rrezikuar. Ndeshja ishte e kujdesshme. Këto përballje fitohen edhe me provokime (mind games). U bë një zhurmë e madhe dhe pastaj u duk sikur ishim në dasmë dhe u martuam me ta. Kaloi shumë paqësore. Normalisht ashtu duhet të jetë, por në momente të veçanta… Unë shoh Rejnxhërs-Sëlltik, që kanë një histori qindra vjeçare. Ndeshjet fitohen edhe me provokime situatash. Të tregosh pak edhe atë inatin sepse je në vendin tënd dhe të mundohesh që t’ia fusësh frikën

Po paraqitjen e dobët në ndeshjen kundër Letonisë, si e shpjegon?

E varfër. Pa motiv dhe ambicie. Sikur kishim shkuar të mbaronim shpejt e shpejt ndeshjen dhe të merrnim pushimet.