Tedi Sheringem i ka dërguar një mesazh Federatës Angleze të Futbollit për të “thyer bankën” në mënyrë që të gjejë një zëvendësues të denjë për Garet Sauthgejtin.
Shefat e FA po vazhdojnë kërkimin e tyre për trajnerin e ardhshëm të Anglisë, pasi i dhanë detyrën në mënyrë të përkohshme ish-trajnerit të U-21, Li Karslej. Ish-sulmuesi i Junajtid, i cili bëri 51 paraqitje për “Tre Luanët” gjatë karrierës së tij, u është lutur drejtuesve të Anglisë që të gërmojnë thellë në xhepat e tyre dhe të bindin Pep Guardiolën të marrë këtë detyrë. Duke folur për “onlinepoker.ltd”, ai tha:
“Unë nuk di shumë për Li Karslejn, por për mua, FA ka kaq shumë para dhe ata do të paguajnë shumë për këdo që merr vendin e punës përpara Kupës së Botës. Unë mendoj se ata duhet të thyejnë bankën dhe të marrin më të mirën. Dhe për mua, ai njeri është Pep Guardiola.
Nëse Anglia dëshiron të bëjë hapin e fundit dhe të fitojë një trofe të madh, nëse dëshiron të shkojë një hap më tej nga vendi ku Garet, i cili ishte fenomenal, na ka çuar, atëherë duhet të shikoni Pep Guardiolën. Shkoni dhe kini ambicien për ta marrë atë, duke i paguar çdo gjë që duhet, me shpresën se Guardiola mund ta çojë Anglinë një hap më tej.
Puna në Angli mund t’i përshtatet Pepit në moshën e tij. Unë nuk po them që ai do të dëshirojë të ngadalësojë ritmin në jetën e tij, sepse gjithçka që ai bën është me avull të plotë dhe 100 për qind angazhim, dhe ju mund ta dalloni këtë nga mënyra se si ai ende i motivon lojtarët e tij. Por mund të jetë një situatë perfekte për të dhe i ofron atij një sfidë krejtësisht të re: menaxhimin e një ekipi kombëtar”.