Shqipëria U-21 luan sot shanset e fundit për kualifikimin në Europianin e vitit të ardhshëm për këtë grupmoshë. Djemtë e trajnerit Alban Bushi stërviten së bashku prej disa ditësh dhe sot në Zvicër në orën 19:30 do të tentojnë një fitore të madhe, që do t’i mbante në lojë deri në ndeshjen e fundit në shtëpi kundër Armenisë, në një skenar të ngjashëm me atë të 2016-ës me Kombëtaren e madhe.
Kuqezinjtë ndodhen aktualisht në vendin e katërt në renditje, katër pikë larg Zvicrës, tre larg Rumanisë dhe me pikë të barabarta me Finlandën.
Për ndeshjen e sotme trajneri Bushi nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Dejvid Janaqi dhe sulmuesin Kristian Shpendi, për arsye dëmtimi. Sakaq, trajneri ka ftuar në ekip futbollistin Ardit Nikaj. Sulmuesi i Skënderbeut është vendosur prej pak ditësh në dispozicion të skuadrës dhe do të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij. Gjendja e pjesës tjetër të skuadrës është optimale.
Ndeshja Zvicër U-21-Shqipëri U-21 do të luhet në stadiumin “Stade de la Tuilière”, me kuqezinjtë që fillimisht do të duhet të marrin masa në mbrojtje, pasi ky repart duket pika më e dobët e skuadrës së Bushit. Kuqezinjtë kanë pësuar plot 16 gola pas 8 ndeshjeve të para. Vetëm Armenia ka bërë më keq në grupin tonë. Nga ana tjetër Shpresat tona kanë realizuar 9 gola, më pak se të tre rivalët më lart.