Trajneri argjentinas iu përgjigj mediave pas përfundimit të ndeshjes kundër Real Madridit. Simeone analizoi paraqitjen e ekipit të tij dhe zgjidhjen e sfidës përmes serisë së penalltive. “Cholo” u shfaq krenar për lojtarët dhe ekipin e tij.

E kaluara dhe pesha e saj: “Lojtarët që ishin sot në fushë, nuk ishin në seritë e mëparshme të penalltive. Oblak po, por nuk është për t’u vlerësuar kjo. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, garuam në një mënyrë të jashtëzakonshme. Mundëm ta rrisnim rezultatin në shtesë. Sipas dukjes, gjyqtari thotë se e prek topin, por topi nuk lëviz. Asnjëherë nuk kam parë VAR-in të thërrasë për të rishikuar një penallti në një seri penalltish. Jam krenar për lojtarët e mi”.

Rrjedha e lojës: “Bëmë një ndeshje të jashtëzakonshme, me shumë forcë dhe përpjekje. Kontrolluam mirë një ekip me futbollistë të mëdhenj”.

Si ndihet: “Njerëzit u larguan të mërzitur, por duke ditur se skuadra e tyre dha gjithçka. Kjo skuadër i meritonte duartrokitjet, tifozët ishin aty që nga fillimi e deri në fund duke na mbështetur. Ishte një ditë shumë e bukur, por fatkeqësisht nuk kaluam më tej. Largohem i humbur, por në paqe me veten”.

Si rikuperohet grupi pas një humbjeje si kjo: “Do të shohim, mënyra se si u eliminuam nuk është e lehtë për t’u tretur. Na pret një kundërshtar i madh të dielën. Jam i sigurt se Barcelona donte që ne të arrinim në shtesë. Jemi të lodhur, të goditur psikologjikisht, garuam ashtu siç duhej të garonim, por u eliminuam. Në kampionat do të japim gjithçka që kemi”.

Penalltia e Julian Alvarez: “Të ngrejë dorën kush e pa që Julian e preku topin dy herë! Të ngrejë dorën! Askush nuk e ngre…”

Fati i keq: “Nuk do të flisja për fat, do të flisja për ndjenjën e krenarisë, për skuadrën që kemi dhe mënyrën se si garojmë gjithmonë. Kjo do të mbetet në histori, gjithë ky proces që kemi kaluar në klub”.

Analiza e ndeshjes: “Ndeshje shumë e kontrolluar në çdo moment, patëm raste për ta rritur avantazhin, por çaluam te saktësia në përfundimin e aksioneve. Ata kontrolluan zotërimin e topit, por nuk krijuan raste për gol. Humbën një penallti dhe mendoj se bëmë një punë të jashtëzakonshme”.

Penalltitë: “Penalltitë janë më ndryshe në stërvitje sesa në ndeshje, nuk i pashë si i goditën. Julian duket se e prek topin kur godet dhe nëse gjyqtari e sheh kështu, atëherë është kështu”.

Ndjenjat pas eliminimit: “Jam krenar për ekipin që kemi, njerëzit tanë do ta kenë shijuar këtë ndeshje. Real Madridi na mposht pothuajse gjithmonë, ose gjithmonë në Ligën e Kampionëve, por e ka të vështirë, vërtet e ka të vështirë”./telesport/