Juventusi u rikthye në stërvitje pas humbjes së rëndë 4-0 kundër Atalantës, teksa në “Continassa” u zhvillua një diskutim mes Thiago Mottës dhe skuadrës, me praninë e drejtorit. Sipas raportimeve, nuk ishte një “gjyq” për humbjen, por bisedë e zakonshme që trajneri zhvillon pas çdo ndeshjeje, edhe pse këtë herë klima ishte më e tensionuar.

Humbja e rëndë në “Allianz Stadium” është ende një barrë për ekipin bardhezi. Prania e Giuntolit dhe, mbi të gjitha, e administratorit të deleguar Scanavino, është një sinjal domethënës.

Sipas “La Stampa”, Thiago Motta nuk i ka fshehur përgjegjësitë e tij për atë që ndodhi të dielën, duke i ndarë fajet me grupin. Ai ka kërkuar nga lojtarët që të mos dorëzohen dhe të arrijnë objektivin minimal, vendin e katërt, duke luftuar më shumë, me intensitet dhe entuziazëm.

Të dielën në ora 18:00, Juventusi do të përballet me Fiorentinën në transfertë, një sfidë delikate për bardhezinjtë. “Gazzetta dello Sport” shkruan se nga e mërkura, stërvitjet do të jenë të dyfishta. Seanca e mëngjesit me teste fizike, ndërsa ajo e pasdites analizë taktike dhe stërvitje në fushë.

Qëllimi? Të rikuperohet energjia fizike dhe mendore, të mbrohet vendi i katërt dhe, ndoshta, të shpëtohet pankina e trajnerit Motta.