Nga Prof.Dr. Artan SHYTI
Zgjedhjet politike, që rikrijojnë qeverinë e re çdo katër vjet, sjellin në vëmendje për ne njerëzit e sportit, problemin e “vjetër” të institucionit shtetëror të sportit.
Nëse bëhet një analizë e thjeshtë, do të shohim se sporti ka qenë emigruesi më i spikatur i këtyre 27 viteve. Ka “lëvizur”, pa gjetur rehat, nga një ministri tek tjetra, është bashkuar me gjithëfarlloj formulash strukturore ministrish duke mos qenë, praktikisht, dy mandate në të njëjtin format.
Megjithëse vazhdoj të jem i bindur, personalisht, se nuk është struktura institucionale më e rëndësishme se njerëzit që vihen në drejtimin e saj, përsëri duhet pranuar se ky “emigrim” periodik i sportit nga një derë tek tjetra nuk i bën mirë seriozitetit dhe vlerësimit shtetëror për të.
Duket se versioni i fundit i bashkimit me arsimin është pozitiv si strukturë. Në këtë format e ka afruar me arsimin, që është një aleat i rëndësishëm për sportin në shkollë, por ka edhe më mirë. Më mirë është që sporti të jetë më vete. Edhe si ministri, por kur dëgjon se qeveria e re do të jetë me numër shumë më të vogël ministrish, atëherë kjo kërkesë duket si utopike.
Sidoqoftë, një Sekretariat Shteti për Sportin apo një Agjenci Shtetërore për Sportin, në vartësi direkte të kryeministrit është e vetmja zgjidhje më e mirë se ajo ekzistuese.
Në nivelin e kërkesave dhe pretendimeve që ka shoqëria shqiptare për sportin, krijimi i një strukture të veçantë, mbështetja me njerëz dhe para e saj janë kushtet primare për të rifilluar një reformim të sportit dhe drejtuar atë në rrugën e cilësisë së munguar aktualisht.
Sepse me sportin nuk jemi mirë. Disa ambiente sportive të reja apo tre orët e edukimit fizik në shkollë janë arritje të rëndësishme, por janë shumë pak për të plotësuar synimet që duhet të kemi në sport.
Pa fituar Kosova pavarësinë, ishim të fundit në Ballkan në sport. Na e kalonte edhe Mali I Zi, megjithëse ka 1/5 e popullsisë së Shqipërisë. Kosova dukej si më e pazhvilluar se ne, por ritmet me të cilat po zhvillohet sporti kosovar janë të tilla, që shumë shpejt do të na lërë përsëri të fundit në Ballkan.
Këtë të paktën nuk duhet ta lemë të ndodhë!