Pas një gjysme të dytë të sezonit shumë të mirë me ekipin e Delvinës, sulmuesi shkodran Angjelo Radovani tashmë e ka mbyllur kontratën me të dhe është një futbollist i lirë. Në Delvinë mbërriti në muajin janar dhe e gjeti ekipin në pozita jo të mira në renditje, por me lojën dhe golat e tij, bëri që ai në fund të renditej në vendin e pestë.
24 vjeçari që është formuar si futbollist tek Akademia Vllaznia, ka bërë mirë atje duke qene autor i 8 golave. Ndërkohë në fazën e parë të sezonit që sapo u mbyll, ai ishte pjesë e Erzenit në kategorinë e parë, ku ishte i pafat për shkak të një dëmtimi që kaloi, por edhe për shkak të situatës së vështirë që po kalonte kjo skuadër. Pavarësisht këtyre dy faktorëve, ai shënoi dy gola për Erzenin duke e mbyllur sezonin me një total prej 10 golash. Natyrisht jo keq.
Një ecuri e tillë ka bërë që në adresë të ish- futbollistit të Vllaznisë të mbërrijnë disa oferta. Delvina ka qenë e para që i ka ofruar rinovim por Radovani ka dashur një eksperiencë të re. Në Shqipëri mësohet se për momentin, më të interesuar për shërbimet e tij janë ekipi i Laçit që siç dihet do të luajë në sezonin e ri në kategorinë e parë, por edhe Luftëtari i Gjirokastrës që po ashtu do të luajë në të parën.
Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ai të lëvizë edhe drejt Italisë, aty ku dy ekipe të Seria D kanë shfaqur interes për të. Bëhet fjalë për Teastevere Calcio dhe Borrielo Calcio. Në këto rrethana ende nuk është e qartë se ku do ta shohim të luajë në sezonin e ri. Kjo sepse edhe nga kampionati kosovar ka patur sinjale, por deri më tani asgjë konkrete.
Angjelo Radovani është një sulmues që gjithmonë është konsideruar me të dhëna të mira, por gjatë karrierës ka kaluar edhe jo pak peripeci që kanë ndikuar në lëvizjet dhe ecurinë e tij, por paraqitjet në sezonin e fundit janë premtues se ai tashmë ka kapur formën e tij më të mirë dhe me shumë mundësi skuadra të ndryshme do të shfaqin dëshirën për ta bërë pjesë të tyre. Për më tepër që aktualisht është një futbollist pa kontratë me asnjë ekip tjetër.(www.shkodrasport.com)