Opinion nga Redan BUSHATI

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për nivelin që ofrojnë kampionatet tona të futbollit. Duke filluar nga Kategoria Superiore, të cilën shpesh, në gjuhën gazetareske, e ndeshim edhe si Superliga Shqiptare, e duke vazhduar më tej me kategoritë e mëposhtme: Kategorinë e Parë dhe të Dytë. Të shikosh një ndeshje futbolli në Superligë është mëse e mjaftueshme për t’i mos i hedhur sytë në kategoritë e tjera, gjegjësisht në të Parën dhe të Dytën.

Logjika është krejt e thjeshtë dhe pikërisht këtu të dërgon, që «kur s’kemi ç’të shohim në Superiore, lëre më pastaj ç’dreqin të hedhësh vështrimin më poshtë!»
Sigurisht, përveç specialistëve të sportit e përfaqësuesve të nderuar të futbollit, edhe tifozët i dinë tashmë problemet e shumta në kampionatet tona kombëtare, ku helbeté çdo skuadër ka të sajat. Ato (problemet) janë nga më të ndryshmet dhe pothuajse të ngjashme sa në një klub në tjetrin. Edhe pse kemi disa ekipe të mira, si Tirana, Skënderbeu, Vllaznia, Flamurtari, Teuta etj., sërish kur vjen koha e ballafaqimeve ndërkombëtare ekipet tona të “mira” nuk shkojnë më tepër se turi i parë apo i dytë; largqoftë në të tretin, që s’mbahet mend qyshkur! Kështu, rikthemi sërish të bëjmë atë të përvitshmen, që edhe jemi mësuar – pra të zhvillojmë kampionatet tona të futbollit, duke mos sjellur asgjë të re nga njëri vit në tjetrin, veç shumave të çmendura të shpenzuara për futbollistë, kryesisht nga tregu i jashtëm, paçka se fushat sportive janë katandisur në një “kolerë” të gjallë, me terrene që, sapo bie shiu i parë, qoftë edhe i pakët e pranveror, bëhen “deltinë” e “llucë”. Shembull në edicionin e sivjetshëm është fusha e Flamurtarit, skuadër e cila ka harxhuar miliona e miliona për të ndërtuar një superekip, pretendent për titull – së paku kështu përflitet në Vlorë dhe kudo gjetkë nëpër Shqipëri, – duke sjellë futbollistë mjaft cilësorë, ndërsa “specialistët” e këtij ekipi kanë harruar se «futbolli i bukur me futbollistë kualitativë zhvillohet në një fushë të mirë, ku topi nuk kërcen, nuk has në pengesa apo ikën nga kontrolli sepse aty-këtu janë hapur gropa disa centimetrashe». Gjithsesi, ngushëllime “specialistëve” të Vlorës (e kam fjalën për ata, që kanë këshilluar blerjen e gjithë atyre futbollistëve të mirë dhe që kanë harruar se mungon një fushë normale për të luajtur topkëmbën) sepse ka edhe më keq! Përshembull tek Tirana – ekipi 24 herë kampion i vendit nuk ka fushë fare. “Qemal Stafa” do të prishet, ndërsa “Selman Stërmasi” do të nis rikonstruksionin. Ku do të luajë një ndër ekipet më elitare të futbollit shqiptar, ku në përbërje ka lojtarë cilësorë, si Gilman Lika i kombëtares etj.? Apo zgjidhja është sa në Kavajë e sa në Durrës? Kjo është zgjidhje “hallexhinjsh”, por që nuk sjell asgjë pozitive, pasi «nuk mbahet ‘shtëpia’ me ‘miell’ hua». Aq më tepër që këtë “miell” do ta përdorin edhe të zotët e “shtëpisë” edhe jabanxhijtë, madje brenda dy-tre ditësh. Kështu i bie, që të shtunën të luajë Tirana dhe të dielën Besa në të njëjtën fushë apo anasjellas! E njëjta gjë vlen edhe në Durrës, ku luajnë “Djemtë e detit”. Kështu, Tirana, ekipi më me shumë tituj në vendin tonë, është i detyruar të luajë sa andej, sa këndej. Hajde ekip, hajde! Çfarë kampionati!
Edhe pse u zgjata si shumë, ju lutem të më ndjeni, pasi nuk kam ndërmend të marrë me radhë problemet e shumta që prodhon kampionati ynë. Por, dua të ndalem te mënyra se si futbollistët e përgatisin ndeshjen përmes komunikimeve për shtypin. Është shumë e çuditshme mënyra se si ato flasin me siguri për fitoren e ekipit të tyre, paçka se ai mund të mos ketë njohur akoma shijen e fitores së parë pas shumë javësh kampionat. Të befason fakti, që shumë syresh flasin për keqardhjen e kundërshtarit, pasi do të rrihet keqas. Vjen dita e ndeshjes dhe … pirdh me gojë do të thonin mjaft tifozë nga shkallët e stadiumit – dhe realisht kanë të drejtë. Gjatë gjithë javës trumbetohet se si ekipi do të fitojë dhe se sa bukur do të luajë, saqë duket sikur në fundjavë do të shikojmë yjet e Europës në fushat tona, ndërkaq në vend që kundërshtari të tromakset nga këto deklarata të bujshme, përkundrazi, edhe ai bën të njëjtën gjë, pra sillet si pala tjetër, si borizan dhe i bie kambanave të fitores që do të arrijë në mënyrë të padiskutueshme. Dhe sapo sportdashësi mbërrin në stadium, deri edhe tek mënyra sesi dalin nga tuneli, me një sy të imtë e zhbirilues mund të shikojë fare mirë se ka brenda ekipeve respektive edhe futbollistë të pamotivuar për të startuar një ballafaqim serioz. Kështu, mes problematikave të shumta të tjera, i shtojmë edhe këtë që po komentojmë, se futbollistët tanë flasin më shumë jashta fushës së blertë sesa brenda saj. Ndërsa duhet të ishte e kundërta, pasi një lojë e bukur sportive peshon sa dhjetëra e mijëra fjalë madhështore. Ndaj, kjo është një tjetër arsye se pse panorama e ndeshjeve tona është tejet e zymtë. Gjithsesi, nuk duhet të demotivojmë e demoralizojmë ato ekipe, që në këto javë të zhvilluara janë munduar të përcjellin emocione, edhe pse pjesërisht me oshilacione. Ndër to duhet të veçojmë Skënderbeun dhe Besën, por edhe Kukësin, skuadra të cilat kanë performuar në mënyrë konstante, pa ulje-ngritje të theksueshme si kundër skuadrat e tjera, si në lojë ashtu edhe në rezultate.
Në fund, dua të theksoj se skuadrat tona nuk kanë një “presbiopí” organizimi, duke filluar nga formulimi, nënshkrimi dhe respektimi i kontratave, për të vazhduar me ecejaket e lëvizjet e çuditshme të trajnerëve e deri tek terrenet sportive dhe krijimi i akademive të futbollit, të cilat janë në një fazë të mjerueshme, ku edhe aty ku ekzistojnë shfaqen probleme menaxhimi e deri korrupsioni, pasi fatet e talenteve në mjaft raste lihen në dorën e delenxhive, edhe pse ‘de jure’ “pretenca” është bardhë si bora, de facto i njeh i madh e i vogël, sigurisht për ato që, ne shkodranët themi, «kan’ sy me pâ e vesh me ní».