Nga Maringlen ZHIVANI
Ditët në vijim do të jenë vendimtare për largimet nga Vllaznia. “Shkodra Sport” ka mësuar se ata që praktikisht rrezikojnë më shumë të mbyllin bashkëpunimin me skuadrën, janë futbollistët që u mbaron kontrata në fund të sezonit dhe sipas burimeve të “Shkodra Sport” në klub, vetëm pak prej tyre do t’u ofrohet rinovim edhe për të paktën një tjetër sezon.
Ndërkohë, futbollistët që nuk kanë pasur shumë minuta në dispozicion, për arsye teknike apo dëmtimi, sërish janë më të rrezikuarit që të mos qëndrojnë më gjatë në klubin kuqeblu. Nga ana tjetër, edhe për ata që kanë kontratë përtej këtij sezoni, do të ulen në bisedime për t’i mbyllur para kohe, nëse nuk kanë bindur këtë vit.
Ndërkohë, për sezonin e ardhshëm, ende nuk kanë nisur piketimet në merkato, por të gjitha gjasat janë që të formojnë një ekip më konkurrues sesa sezoni aktual që sapo u mbyll. Në fakt, pritet që kuqeblutë të hyjnë fuqishëm në treg, ku do të synohen futbollistë nga të gjitha rolet. Gjithsesi, më parë do të bëhet lista e spastrimeve, që do të shihet më konkretisht se ku duhen ndërhyrjet.(www.shkodrasport.com)