Nga Maringlen ZHIVANI
Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Skënderbeut, shkodrani Belajdi Pusi, po shkëlqen së fundmi edhe në kampionatin azer. Në ndeshjen që ekipi i tij, Shamakhi, zhvilloi përballë Turan Tovuz, Pusi ishte autori i një goli.
Sulmuesi shkodran shënoi një gol mjaft të bukur me fanellën e Shamakhit, në sfidën që përfundoi në barazim 2-2. Në fakt, ishte minuta e 48-të, ku me një kthesë fluturimthi nga brenda zonës, Pusi arriti të përshëndeste rrjetën, duke barazuar përkohësisht shifrat në 1-1.
Ky ishte goli i dytë në shtatë ndeshje për 26-vjeçarin, i cili në këtë përballje qëndroi në fushë 76-minuta. Në këtë sezon të ri, vlen për t’u theksuar se shkodrani numëron dy gola dhe dy assiste, si dhe është përzgjedhur dy herë për të qenë pjesë e formacionit më të mirë të javës.
Dy edicionet e mëparshme, ish-sulmuesi i Vllaznisë dhe Skënderbeut, ishte pjesë e Turanit, ku në total arriti të shënonte pesë gola.
Maringlen ZHIVANI