Nuk kanë fund largimet nga Tirana. I rradhës është një nga lojtarët më të rëndësishëm të saj që shpeshherë ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit tek kjo skuadër, Gledi Mici. Ai ka vendosur që të mos vazhdojë të jetë më pjesë e bardhebluve, por të ndjekë Blendi Shkëmbin në aventurën e tij të re tek ekipi i Strugës.
Mbrojtësi 34-vjeçar bashkohet me skuadrën shqiptare që militon në elitën e futbollit maqedonas, pas aventurës së fundit me Tiranën. Gjatë karrierës së tij, Mici ka fituar plot 5 trofe, Kupën me Kukësin dhe Flamurtarin, kampionatin me Shkëndijën dhe Prishtinën si dhe një Kupë me Prishtinën.
Një përforcim me mjaft vlera ky për skuadrën strugane, që pritet të përfitojë eksperiencë dhe garanci në mbrojtje. Gjatë karrierë së tij, veç Tiranës, 34-vjeçari është aktivizuar me Prishtinën, Shkëndijën, Skënderbeun, Kukësin, Flamurtarin, Kamzën dhe Apoloninë.