Nga Martin DEDAJ

Fitoren e arritur përballë Pogradecit me rezultatin 2-1, ekipi dhe stafi i Burrelit, ja dedikojnë legjendës matjane “Mjeshtrit të Sportit” Dali Farruku, në 67-vjetorin e lindjes, dhe për koeçdencë njërin prej golave e shënoi, një pasardhës i Dinastisë FARRUKU, nipi i tij Florenci.

Nën drejtimin e trajnerit Ditmar Bicaj, ashtu siç dhe pritej skuadra e Burrelit ka luajtur fort dhe e motivuar vetëm për fitore në këtë ndeshje, që u arrit vetëm në “frymën e fundit”.

Loja ka qenë e bukur dhe me shumë emocione e dominuar plotësisht nga vendasit, por hera-herës miqtë kanë rrezikuar me kundërsulme të shpejta, siç ishte edhe rasti i golit të barazimit. Golat u shënuan në 5-6 minutat e fundit të ndeshjes, ku në 88’ shënoi Farruku dhe koha e rregullt mbyllet me fitoren e vëndasve, nën ritmin elektrizues të tifozërisë matjane.

Gjyqtari i katërt akordon 5’ shtesë, në të cilën realizohen dy gola. Fillimisht barazojnë miqtë në 92’ me Panadiç dhe më pas Xhakaj me atë goditje të kalibruar, duke përfituar edhe nga dalja dhe gabimi i portierit mik në 94’ shënon golin e fitores, duke ngritur peshë entuziazmin e tefozërisë matjane dhe “dhënë zjarr” kësaj feste dhe ditëlindjes së legjendës Dali Farruku, emrin e të cilit mban aneksi i stadiumit. Në mes kësaj atmosfere arritëm ti marrim këtë intervistë trajnerit Bicaj, i cili u shpreh:


Urime për fitoren në frymën e fundit. Komenti juaj për ndeshjen?

Ishte një ndeshje e dominuar totalisht nga ne, ku që nga ‘1-’97, loja foli për ekipin tonë. Fituam çdo duel, kemi ushtruar shumë presion ndaj kundërshtarit, dhe qarkulluar topin shumë shpejt. Por edhe po të mos e fitonim ndeshjen, këto fjalë do ti thoja dhe përgëzime djemve për shpirtin e garës, respektin që po tregojnë ndaj fanelës. Futbolli i ka të tre rezultatet brenda, sidomos në kategorinë e parë dhe këtë e kam theksuar edhe herë të tjera. Në çdo javë ndeshjet janë jashtëzakonisht të forta, ku nuk dihet si do të përfundojnë, nuk ka favoritë. Kështu që në këtë takim pavarësisht se luanim në Burrel, u desh “fryma e fundit”, që të merrnim këtë fitore!


Zhvilluat një volum të madhe loje, shënuat por dhe shpërdoruat shumë raste. Pse po ndodh kështu?

Ju ndodh të gjitha ekipeve që të shpërdorojnë raste. Për hir të së vërtetës në këtë ndeshje kemi shpërdoruar shumë raste, ashtu si me Valbonën dhe Korabin. Megjithatë mua më ngroh fakti që djemt kanë dëshirë, vrapojnë, fitojnë çdo dyluftim, kanë shpirt të lartë gare. Golat do të vijnë. E rëndësishme është që u zhbllokuam, dhe morëm tre pikët e para në shtëpinë tonë. Do të vazhdojmë kështu dhe me shumë seriozitet. Kemi bërë një stard jashtëzakonisht shumë të mirë. Kështu që futemi në një rrjedhë tjetër të kampionatit, dhe na duhet që të ruajmë e të kursejmë energjitë, sepse ndeshjet sa vijnë e bëhen më të vështira, po ashtu fillon edhe lodhja, në këmbët e çdo futbollisti.

Në dy tre raste përfshi edhe pësimin e golit, skuadra juaj çedoi pak dhe u gjend në befasi, a e shihni si shqetësim këtë dhe a mendoni se duhet të ndërhyni për të riparuar diçka?

Të ushtrosh presion mbi kundërshtarin për 97’, normalisht që do të krijosh edhe hapsira mbrapa. Të njëjtën lojë që ne aplikuam në Vlorë ndaj Flamurtarit, pak a shumë e aplikoi Pogradeci ndaj nesh në Burrel, duke u mbrojtur me forca të shumta dhe kundërsulmuar. Megjithatë jam i kënaqur me repartin e mbrojtjes. Kanë qenë fanatik në detyra, pavarësisht pësimit të golit, që mund të evitohej, pasi po ta shohësh kemi qenë katër fanela të Burrelit ndaj dy të Pogradecit. Erdhi ai gol i cili mund të na prishte shumë punë, megjithatë gabimet më mirë që ndodhin, sepse duhet që ti rikuperojmë dhe ti përmirësojmë ato.


Një koeçidencë e bukur me këtë ndeshje, pasi fitoria e Burrelit përkoi me 67-vjetorin e lindjes së legjendës matjane Dali Farruku, si e përjetuat ju këtë rast?

Koeçidenca ishte vërtetë e bukur, pasi kishte ditëlindjen legjenda Dali Farruku, të cilit i urojmë nga zemra edhe shumë vite të tjera plot lumturi. Dhe mbi të gjitha më bëhet qejfi që një pasardhës i Dinastisë Farruku shënoi në këtë takim, që është Florenci dhe adresoj shumë urime për këtë festë të dyfishtë.

Së bashku me Besën, jeni ekipet e vetme që nuk keni humbur në këto katër javë. Ndërkohë që ju pret një transfertë e vështirë me Kastriotin. Çfarë mund të thoni për këtë përballje në transfertë?

Specifika e kësaj ndeshje është disi e vështirë sepse ne luajmë me Kastriotin, i cili është një ekip i fortë. Megjithatë unë e kam theksuar që në javën e parë, se ekipi i Burrelit ka potencial dhe krijon jashtëzakonisht shumë raste. Jemi ekip që nga ana fizike jemi si të thuash “top”. Kështu që me gjithë respektin që kam për Kastriotin, do të jetë një ndeshje e luftuar. Futbolli don edhe fat. Janë të tre rezultatet në lojë, si për ne ashtu edhe për Kastriotin, kështu që parashikoj një ndeshje jashtëzakonisht shumë të fortë.