Juventusi do të presë në Torino skuadrën e Lacios, të shtunën në mbrëmje në kuadër të javës së tetë të Serisë A.
Në prag të kësaj sfide, Tiago Mota ka shumë dhimbje koke duke parë se do të ketë shumë mungesa të rëndësishme. Përveç Gleison Bremerit që tashmë ka humbur sezonin, trajneri bardhezi nuk do të ketë në dispozicion as Niko Gonzalez, Teun Kopmeiners dhe Ueston Mek’Keni të dëmtuar. Kësaj listë i shtohet edhe Fransisko Konseisao që është i ndëshkuar me karton të kuq dhe Milik që në këtë sezon nuk ka qenë kurrë gati për Juventusin. Lajmi i vetëm pozitiv që Mota ka marrë nga infermieria është rikthimi i Ueah që pritet të luajë nga minuta e parë në krahun e djathtë. Por si pritet të jetë formacioni i Juventusit në sfidën ndaj Lacios? Mota këtë herë duket sikur po luan lojën “sudoku”.
TITULLARËT- Ndoshta duket si diçka e lehtë të zgjedhësh 11 lojtarët titullarë në kushtet ku Mota ndodhet tani. Ai nuk ka shumë alternativa dhe në disa pozicione emrat duket se janë të vendosur tashmë. Në portë pritet të luajë Di Gregorio, ndërsa mbrojtja është diçka pa shumë histori. Kalulu dhe Gati do të jenë dyshja që plotëson qendrën.
Në krah nuk ka balotazh, ndërsa pritet të jenë Savona dhe Kambiaso. Mesfusha ndërkohë është ajo që bënë me më shumë dhimbje koke Motën. Ka disa alternativa, por jo ato që atij i pëlqejnë. Manuel Lokateli shihet si “shpëtimi” i Motës në sfidën ndaj Lacios. Ai është garancia e vetme që ka përpara mbrojtjes, pasi Turam dhe Duglas Luiz nuk kanë bindur në asnjë moment.
Megjithatë, trajnerin bardhezi i duhen edhe muskuj ndaj Lacios dhe pritet që si Turam ashtu edhe Duglas Luiz të luajnë, duke lënë në stol Faxholin. Turam pritet të vihet në krahë të Lokatelit, pasi të dy së bashku mund të kuptohen disi më mirë, ndërsa Luiz të luaj pas shpinës së Vlahoviçit. Gjithashtu pas shpinës së serbit, pritet të luajnë edhe Jildiz e Ueah.