Barcelona ka zyrtarizuar afrimin e portierit Joan García nga Espanyoli, pas aktivizimit të klauzolës së lirimit prej 25 milionë eurosh. Kalimi i tij është bërë publik këtë të mërkurë, ndërsa prezantimi zyrtar do të bëhet më 13 korrik, kur skuadra katalanase nis përgatitjet për sezonin e ri.
García, i cili ka firmosur një kontratë 6-vjeçare deri në vitin 2031, largohet nga Espanyoli mes polemikave të mëdha. Tifozët e skuadrës bardhekaltër nuk e kanë pritur mirë lëvizjen drejt rivalit të qytetit, një ndjesi që u thellua edhe më shumë nga komunikata e ftohtë e klubit të tij të mëparshëm: “Portieri Joan García ka paguar klauzolën dhe largohet nga RCD Espanyol.”
Negociatat me Barcelonën kishin nisur që para përfundimit të sezonit. Edhe pse portieri katalanas kishte oferta të tjera nga Premier League, ai zgjodhi të qëndronte në Spanjë, duke refuzuar madje edhe një huazim të përkohshëm të propozuar nga Barça. Vendimi final u mor pas një takimi me familjen, ku u diskutuan vështirësitë e mundshme të këtij hapi të madh.
Në Barcelonë, García do të përballet me një konkurrencë të fortë, pasi Marc-André ter Stegen mbetet në rolin e titullarit. Megjithatë, ish-portieri i Espanyolit është i vendosur të luftojë për një vend në formacionin ‘blaugrana’ dhe e sheh këtë si një sfidë të madhe në karrierën e tij.