Nga Maringlen ZHIVANI
Dy notarët shkodranë të “Future Sports Academy” Shkodër, Arlind Hysaj dhe Arbër Hysaj vijojnë të bëjnë sërish paraqitje të tjera pozitive në sportin e notit. Në garat e fundit ndërkombëtare në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës, dy notarët Arlind Hysaj dhe Arbër Hysaj përfaqësuan ekipin e vetëm shqiptar, Future Sports Academy Shkodër, duke vijuar me suksese të tjera individuale nga ana e tyre.
Në këtë event, morën pjesë gjithsej 30 ekipe me 492 notarë, ku 23 ekipe noti ishin të Bosnje-Hercegovinës, tre ekipe nga Mali i Zi, tre nga Serbia dhe një nga Shqipëria, që përfaqësohej nga dy notarët shkodranë.
Kështu, notarët Arlind Hysaj dhe Arbër Hysaj garuan në gjashtë disiplina. Arbër Hysaj mori tre medalje, teksa në 100-metër katër-notim u rendit në vendin e dytë, duke marrë një medalje argjendi. Në garën 100-metër stil i lirë, u pozicionua në vendin e tretë dhe mori një medalje bronzi. Ndërkohë, në garën 50-metër delfin u pozicionua në vendin e tretë, duke marrë edhe aty një tjetër medalje bronzi.
Po ashtu, në renditjen si notari më i mirë për grup-moshën 14-vjeçare, Arbër Hysaj u rendit i katërti me 1433-pikë. Ndërkohë, notari tjetër Arlind Hysaj, në Kategorinë Open për disiplinën 50-metër stil i lirë, u rendit në 10-shen më të mirë të moshave 17-vjeçare dhe më të rritur. Në renditjen e përgjithshme të ekipeve, edhe pse e përfaqësuar me vetëm dy notarë, ekipi Future Sports Academy Shkodër u rendit në vendin e 21-të me 31-pikë./www.shkodrasport.com/