Pas 9 vitesh, ku në dy sezone ka qenë i huazuar tek Avellino dhe Benevento, Berat Gjimshiti pritet të largohet nga Atalanta këtë verë. Edhe pse u përfol për një interes të shtuar të Milan për mbrojtësin kuqezi, pas ardhjes si drejtor sportiv të Igli Tares, oferta e parë zyrtare për kapitenin e Shqipërisë ka ardhur nga Katari.

Sipas asaj që raporton “TuttoAtalanta.com”, Al-Rayyan i ka dërguar Atalantës, ofertën e parë zyrtare për mbrojtësin kuqezi për shifrën 12 milionë euro plus bonuse. Duke ditur që shqiptarit i skadon kontrata verën e vitit të ardhshëm dhe ai mund të largohet si lojtar i lirë, klubi bergamask me shumë mundësi do pranojë ofertën e Al-Rayyan.

Po ashtu, edhe nga ana e Gjimshitit nuk pritet të ketë kundërshtime për këtë lëvizje, duke ditur që do të përfitojë një rrogë shumë të majme në Katar. Sipas raportimit në fjalë, zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të ndodhë shumë shpejt.