Rudi Vata është kthyer sot në personazhin e ditës në mediat belge. Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare ka folur nga grumbullimi i skuadrës së Muskron, ku është këshilltar sportiv, për pritshmëritë që ka në klubin ku ka firmosur zyrtarisht pak javë më parë, por edhe për karrierën e tij.

Mediat belge ishin të interesuara të mësonin më shumë për mënyrën se si një djalosh shqiptar me çantën në krah u bë një futbollist që arriti majat me një klub me emër si Sëlltiku.

“Fillova karrierën time profesionale në moshën 18-vjeçare”, kujton Vata për mediat belge në intervistën që ka dhënë në Kadiz, ku gjendet e grumbulluar skuadra për fazën përgatitore në janar. “Isha një prej mbrojtësve të qendrës më të mirë në vendin tim. Në vitin 1991, pas një ndeshje të Shqipërisë kundër Francës në “Parc Des Princes”, vendosa të qëndroja atje.

Unë kisha lindur në një vend që gjendej nën diktaturë prej 45 vitesh, neve na privohej liria, ne nuk mund të bëheshim personat që ëndërronim të bëheshim, pas ndeshjes ndërrova fanellën me Kantona dhe atëherë i thashë trajnerit tim që nuk do të kthehesha, që kisha nevojë për liri, ishte momenti më i mirë që të zhvillohesha, edhe pse nuk kisha më shumë se 50 dollarë në xhep dhe vetëm çantën e sportit. Asokohe më refuzuan azilin politik meqë nuk isha i torturuar apo keqtrajtuar”, tha Vata.

Futbollistit e nisi karrierën e tij te Le Mansh. “Atje dëmtova kaviljen, nuk kisha siguracione. Klubi kishte gjetur një marrëveshje me një sponsor të një ekipi në kategorinë e katërt, që më mundësoi që të paguaja për operacionin”, zbulon Vata vështirësitë e para të jetës në Francë.

“Regjimi totalitar ra një vit më vonë në Shqipëri. Trajneri i kombëtares më kërkoi që të kthesa në vend, por unë u nisa për të luajtur në Dublin. Në ndeshjen ndaj Irlandës, ku unë u zgjodha lojtari i ndeshjes, Liam Bredi, trajneri i Sëlltikut gjendej në tribunë. Te Sëlltik Gllasgou firmosa për katër vite. Atje kam fituar Kupën e Skocisë. Ishte një eksperiencë shumë e bukur.

Kur arrita te Kotbusi, më quanin Bekenbaueri shqiptar, trajneri tallej me këtë. Në Gjermani, nëse nuk je 20% më i fortë se një gjerman, nuk luan dot. Kam mësuar 6 gjuhë të huaja gjatë karrierës time, kam zbuluar kultura të ndryshme, kam pasur gjithmonë uri për sukses.

Dëshiroja të isha kapiten i Shqipërisë që kur isha i vogël. Kam mbajtur në 37 ndeshje shiritin në kombëtare”, tregon ai me krenari, ndërsa kujton edhe etapën kur u mundua të ndryshonte futbollin shqiptar. “Kam qenë trajner në Shqipëri për 6 muaj. Por nuk është e thjeshtë kur ke patur mundësinë të punosh jashtë që të ndryshosh mentalitetin në shtëpi”, pranoi ai. /vipsport/