Nga Maringlen ZHIVANI
KF Shiroka ka humbur në ndeshjen e rradhës ndaj ekipit “Eagle Football” me rezultatin e ngushtë 1-0. Megjithatë, pas përfundimit të këtij dueli, skuadra shkodrane ka patur pretendime të mëdha për arbitrimin.
Drejtuesit e KF Shiroka, pas ndeshjes janë parë shumë të irrituar me arbitrat e ndeshjes dhe sidomos me kryesorin Mateo Syziu, të cilët kanë qenë dukshëm kundër skuadrës së tyre.
Në fakt, kulmi ka qenë tek anullimi i një goli mëse të rregullt të shënuar nga ana e tyre. Kjo gjë padyshim që ka krijuar jo pak mërzitje tek drejtuesit e skuadrës, të cilët kanë reaguar me një komunikatë të shpërndarë për mediat.
“Në javën e katërt të kampionatit ndihemi të penalizuar nga arbitri i takimit. Ky është goli i shënuar nga skuadra jonë, para se ekipi kundërshtar të kalonte në avantazh, por që na u mohua në mënyrë të padrejtë. Gjithsesi, shohim përpara në ndeshjet në vijim.”
Pavarësisht rezultateve jo fort pozitive në ndeshjet e fundit, KF Shiroka do të kërkojë të vijojë arritjen e objektivit të saj, që është për t’u ngjitur një Kategori më lart./www.shkodrasport.com/