Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin që mbylli sezonin e kaluar në krye të skuadrës- Eni Llazanin, edhe për të paktën tre vitet e ardhshme. Kështu kanë vendosur drejtuesit e Shoqatës duke treguar edhe njëherë tjetër se projekti i tyre do të vijojë pikërisht me këtë trajner sepse besojnë në aftësitë dhe puna e tij.
Një gjë e tillë është zyrtarizuar përmes një postimi në faqen zyrtare të Shoqatës së Basketbollit Vllaznia, ku ndër të tjera theksohen edhe detyrat që do të ketë Llazani përpos ekipit të parë edhe me zhvillimin e lojtarëve të rinj.
“Kemi kënaqësinë të njoftojmë nënshkrimin me trajnerin Eni Llazani, i cili do të jetë pjesë e familjes sonë të paktën për 3 vitet e ardhshme!
Projekti i Vllaznisë do të fokusohet edhe më shumë tek trajnimi dhe zhvillimi i lojtarëve të rinj, me synim rritjen e talenteve vendase dhe forcimin e skuadrës sonë në të ardhmen.
I urojmë shumë suksese Enit në këtë rrugëtim të përbashkët!