Pavarësisht futbollistëve të ndryshëm që kanë ardhur apo ikur nga Vllaznia gjatë kësaj merkatoje verore, një “arritje” për kuqeblutë ka qenë rinovimi me Esat Malën.
Prizrenasit i skadoi kontrata në fund të muajit maj dhe pavarësisht se kishte disa oferta në dorë, madje ekonomikisht edhe më të mira se ajo e Vllaznisë, vendosi të qëndronte në Shkodër. Duke vijuar karrierën e tij kështu për sezonin e katërt radhazi në radhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë. E patjetër Mala ishte një nga futbollistët kryesorë të sezonit të shkuar me 7 gola dhe 12 asiste në llogarinë e tij personale.
Formë të cilën e vijoi edhe me paraqitjet në Europë që zhvilloi në duelet kundër Daugavpils apo Vikingur. Me shtatshkurtrin që në 4 ndeshje arriti të gjente 2 herë golin e po ashtu asistonte një herë për shokët e skuadrës. Duke qenë kështu absolutisht një nga futbollistët më të spikatur të verës europiane të shkodranëve. Një formë të tillë të kaluar në këtë fillim sezoni, te Vllaznia shpresojnë që ish-futbollisti i Partizanit ta shfaqë edhe në kampionat.
Polivalenca e 26- vjeçarit vlerësohet shumë nga trajneri Martini, i cili mund ta përdorë si “xhol” Malen, duke e aktivizuar në pozicione të ndryshme. Ku aktualisht Mala po aktivizohet në rolin e mesfushorit pas sulmuesve, por në javët dhe ndeshjet e kampionatit, atë mund ta shikojmë edhe në krahët e sulmit ose mesfushës. Duke pasur parasysh se te Vllaznia zyrtarizimi i një fantazisti të mirëfilltë si Sherif Kallaku është vetëm çështje kohe. Fakt që nuk “prish” aspak punë për Malën, i cili pavarësisht afrimeve që kanë bërë kuqeblutë në këtë merkato, ngelet sërish një nga “shtyllat” kryesore të skuadrës.