Nga Endri ÇINARI

Vllaznia e mbylli në barazim javën e dytë të Superiores. Shkodranët në një sfidë plot emocione e përfunduan në shifrat 2-2, klasiken e Shqipërisë kundër Tiranës. Rezultat që i lë shkodranët në vendin e 3-të në kampionat momentalisht me 4 pikë të grumbulluara. Pikë këto të ardhura pas ndeshjeve me dy prej rivalëve kryesorë siç janë Partizani dhe Tirana.

Por ecuria e këtij fillim sezoni është identike me atë të sezonit të shkuar për Vllazninë. Kuqeblutë e nisën këtë sezon me një fitore në transfertë kundër Partizanit në shifrat 0-1. Edicionin e shkuar e nisnin po me fitore, por me ndryshimin se luante kundër Kukësit në “Loro Boriçi”. Dhe shkodranët triumfonin në shifrat 3-1 ndaj verilindorëve.

Në javën e dytë të sezonit 2024-25, Vllaznia barazoi 2-2 kundër Tiranës. Një rezultat të tillë identik arrinte edhe sezonin e shkuar, ku java e dytë do shikonte një barazim në shifrat 2-2 kundër Erzenit në transfertë. Ndaj bardhebluve para pak ditësh shënoi dy herë Balaj, diçka të tillë “bomberi” e bënte edhe në barazimin kundër Erzenit në sezonin e shkuar, ku realizonte një dopietë.

Patjetër që ecuria e Vllanzisë përsa i përket pikëve është pozitive në nisje të këtij edicioni. Por tifozët shkodranë dhe ambienti i futbollit në qytet kërkojnë një lojë cilësore nga ana e kuqebluve. E patjetër që deri në fundin e kampionatit të pretendohet për titullin kampion që mungon prej 23 vitesh në Shkodër./www.shkodrasport.com/