Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se Vllaznia nuk arriti të fitonte kampionatin, duke dalë duarbosh në finalen me Egnatian, shkodranët në gjirin e tyre këtë edicion kanë pasur dy nga futbollistët më të spikatur në edicionit. Fjala është për dyshen Balaj-Mala, që ishin liderit e skuadrës shkodrane. Duke nisur nga kapiteni Balaj, i cili është për të dytin vit rradhazi golashënuesi më i mirë i Superiores.
34-vjeçari shënoi 17 gola në edicionin e rregullt, e duke shtuar edhe 2 rrjetat në përballjen me Dinamon në “final 4”, shkodrani e mbylli në kuotën e 19 rrjetave sezonale. Duke merituar kështu trofeun e “Këpucës së Artë” për edicionin e dytë rradhazi. Një tjetër element që spikati ishte edhe Esat Mala, me prizrenasin i cili përjetoi sezonin më të mirë në karrierën e tij.
Ish-futbollisti i Partizanit shënoi 7 gola dhe dhuroi 12 asiste në Superiore. Ku më mirë se ai nuk bëri askush në aspektin e asisteve në Superiore.
Një dyshe nga e cila pritet të rinisë Vllaznia e re e edicionit 2025-26, ku me Malen drejtuesit patjetër duhet të negociojnë edhe marrëveshjen e re. Sepse kontrata e shtatshkurtërit përfundon në fund të muajit qershor.(www.shkodrasport.com)