Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia U-14, e drejtuar nga trajneri Haris Dalipi, po bën një paraqitje mjaft pozitive në kampionatin kombëtar të kësaj grup-moshe. Në ndeshjen e luajtur së fundmi në stadiumin “Reshit Rusi”, Vllaznia U-14 fitoi ndaj Shënkollit, një rival direkt ky, me rezultatin 2-1. Sa i takon kronologjisë së ndeshjes, Vllaznia u shfaq më agresive, duke kërkuar me insistim rrugën e rrjetës, të cilën e gjeti mjaft shpejt, duke shënuar dy gola të bukur me Hasajn dhe Iric. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 2-0 në favor të Vllaznisë. Në pjesën e dytë, Shënkolli shënoi me një penallti, por ekipi kuqeblu nuk e vendosi asnjëherë në diskutim fitoren, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e Vllaznisë U-14 me rezultatin 2-1. Në këtë mënyrë, Vllaznia U-14 vijon paraqitjet e saj të mira në kampionat, ku me këtë trepikësh ndaj Shënkollit shkon në kuotën e 22 të tillave, duke u renditur në vendin e tretë, vetëm tre pikë larg vendit të dytë. Në fakt, që nga fillimi i këtij sezoni, Vllaznia U-14 ka siguruar gjashtë fitore, katër barazime dhe vetëm një humbje, statistika këto mjaft pozitive për këtë grup-moshë. Ndërkohë që, kanë rënë në sy me paraqitjet e tyre të mira edhe lojtarë të ndryshëm, siç janë portieri Besardo Ndoj, mbrojtësi Roben Kastrati, Maldis Boshnjaku, Petar Iric apo edhe Aranit Hasaj, të cilët kanë shënuar pothuajse në çdo ndeshje.
U-14: Vllaznia-Shënkolli 2-1
Golat për Vllaznia U-14: Hasaj 8’, Iric 18’
Formacioni i Vllaznia U-14: Ndoj, Kastrati, Demaj, Dani, Boshnjaku, Kjasi, Kulla (Jakupi 46’), Ademi, Lumanaj, Iric (Marku 55’), Hasaj (në dispozicion: Juka, Shtatri, Xama, Lisaj, Rrahishta) Tr: Haris Dalipi