Xherdan Shaqiri nuk do të vazhdojë më të jetë pjesë e Zvicrës. Futbollisti me origjinë shqiptare ka njoftuar pensionimin nga “helvetët”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, 32-vjeçari ka falenderuar të gjithë për mbështetjen. Shaqiri prej 14 vitesh jep kontributin e tij te Zvicra, teksa ka marrë pjesë në 7 turne madhorë, ku ka shënuar shugola.
Për të janë momente të paharrueshme, por pas Euro 2024 ka vendosur t’i thotë lamtumirën kësaj skuadre.
“7 turne, shumë gola, 14 vite me kombëtaren e Zvicrës dhe momente të paharrueshme. Është koha për t’i thënë lamtumirën kombëtares. Mbeten kujtime të mëdha dhe për këtë ju them të gjithëve FALEMINDERIT”, ka shkruar Shaqiri.
Kujtojmë se në Euro 2024 vendosi rekord, pasi u bë lojtari i parë që shënon gol në 3 Europianë dhe 3 Kupa Bote rresht. Goli ndaj Skocisë e vendosi atë mes emrava më të mëdhenj në historinë e futbollit.