Elseid Hysaj duket gjithnjë e më shumë pranë largimit nga radhët e Lacios, pasi ka hyrë tashmë zyrtarisht në 6 muajt e fundit të kontratës së tij dhe mund të negociojë me cdo klub tjetër lirshmërisht për të ardhmen.
Mbrojtësi ishte nxjerrë jashtë listave për kompeticionet kombëtare e ndërkombëtare nga klubi, por rregullorja ia lejon që për një muaj të paktën të veshë përsëri fanellën bardhekaltër.
Sipas rregulloreve, gjatë dritares së transferimeve të futbollistëve, listat në Serinë A janë të hapura, ndaj Hysaj mund të aktivizohet për sa kohë që është ende i regjistruar si futbollist i Lacios. Kësisoj, ai pritet të vihet përsëri në dispozicion të trajnerit Sarri këto ditë, për të përgatitur ndeshjet e radhës e ndoshta edhe për t’u aktivizuar në këto duele.
Megjithatë, në mediat italiane bëhet e qartë se klubi mund ta aktivizojë Hysajn, por për momentin nuk jepen sinjale se do ta kthejë përfundimisht në lista për pjesën e dytë të sezonit.
Kjo, pasi nuk e sheh mbrojtësin shqiptar si pjesë të planeve për të ardhmen dhe shpreson që t’i gjejë sa më shpejt një sistemim atij. Arsyeja tjetër është se Lacio shpreson që Hysaj të pranojë ndonjë ofertë që në janar, në mënyrë që të shpëtojë nga rroga e majme që merr futbollisti, i cili do të përfitojë 1,4 milionë euro për gjysmën e dytë të këtij edicioni edhe nëse nuk luan asnjë minutë me bardhekaltrit.


