Mançester Siti është klubi që ka investuar më shumë në merkato gjatë dekadës së fundit. Kampionët e Anglisë, që prej sezonit 2008-09, kur drejtimin e klubit e mori sheiku Mansur, kanë shpenzuar 1.75 miliardë euro sipas të dhënave të “transfermarkt”, 290 milionë euro më tepër sesa Reali i Madridit, që renditet në vend të dytë (1.46 miliardë euro).
“Qytetarët” e nisën fushatën e rekrutimeve nën pronësinë e re, me transferimin e Robinjos për 43 milionë euro. Më vonë u afruan Tevez (29 mln), Xheko (37 mln), Aguero (40 mln) apo De Bryjne (76 mln). Por, rekordet e vërteta i ka vendosur Pep Guardiola, i cili në sezonin e tij të parë shpenzoi 213 milionë euro për Stonsin, Sanenë, Zhezusin dhe Gyndoanin. Sidoqoftë, kjo është një shifër më e ulët se 317.5 milionë eurot që katalanasi investoi gjatë sezonit 2017-18, për të transferuar Laportin, Mendin, Uokerin, Edersonin dhe Danilon.
Këto blerje i lejuan atij që të bënte sezonin më të mirë në historinë e Premier Ligës, të cilin e mbylli me 100 pikë, 106 gola të shënuar dhe 19 pikë përpara vendit të dytë, rivalëve të Mançester Junajtidit.
Pas Sitit dhe Realit, klubet me faturën më të rëndë këtë dekadë e kanë Barcelona (1,44 mld), Çelsi (1,4 mld), Juventusi (1,24 mld), Mançester Junajtid (1,21 mld), PSG (1,2 mld), Liverpuli (1,12 mld), Atletiko e Madridit (983 mln) dhe Interi (935 mln).
Por, në raportin e shpenzimeve neto, kjo renditje do të kishte një tjetër pamje, sepse pas Sitit, Junajtid do të renditej në vend të dytë, i ndjekur nga PSG, Barça dhe Reali.