Kevin de Bryjne dhuroi asistin e tij të 259-të në karrierë në ndeshjen e fundit kundër Bajernit, duke barazuar rekordin e Dejvid Bekhamit dhe duke e bërë këtë duke luajtur 15.000 minuta më pak se ish-kapiteni i Anglisë.

Ishte edhe njëherë një tjetër kombinim vrastar mes belgut dhe Erling Halandit në golin e Mançester Sitit kundër Bajernit në çerekfinalen e Champions-it në Mynih, ndërsa kampionët e Anglisë siguruan biletën në gjysmëfinalet e kompeticionit pas suksesit me rezultatin e përgjithshëm 4-1.

Për 31-vjeçarin ishte asisti numër 259 në karrierën e tij, një numër që e vendos në të njëjtin nivel me ish-kapitenin e Mançester Junajtidit dhe Anglisë, Dejvid Bekhamin, një ikonë e asisteve për shkak të aftësisë së tij të pabesueshme në krosim. Megjithatë, shifra e De Bryjnes vjen me një mesatare shumë herë më të ulët minutash në fushë, ndërsa Bekham ka luajtur 15 mijë minuta më shumë më fushë ose 167 ndeshje të plota më tepër.

Tani nuk do të kalojë shumë kohë që ylli i Pep Guardiolës të lërë pas Bekhamin, ndërsa objektivi i tij i radhës do të jenë Kristiano Ronaldo (268 asiste në karrierë) dhe kampioni i botës Angel di Maria (277).

Megjithatë, De Bryjnes do t’i duhet ende shumë punë për të arritur rekordin stratosferik të Lionel Mesit (390 asiste), i cili besohet se është lojtari me më shumë asiste në epokën moderne.

De Bryjne kryeson edhe klasifikimin e asisteve të Premier Ligës këtë sezon, me 15 pasime për gol, gjashtë më shumë se sa Bukajo Saka i Arsenalit, ndërsa po i afrohet edhe rekordit të Premier Ligës (20 asiste), i cili mbahet nga vetë ai në sezonin 2019-‘20 dhe Tieri Henri në 2002-’03- in.

Në total, kapiteni belg ka 101 asiste në Premier Ligë dhe aktualisht renditet në vendin e pestë në renditjen e të gjitha kohërave, pas Frenk Lampardit, Uejn Runit, Cesk Fabregasit dhe rekordmenit Rajan Gigs (162).

Por ai pritet që të lërë pas Lampardin dhe Runin deri në fund të këtij sezoni, pasi është vetëm dy asiste larg ngjitjen në vendin e tretë në listën e asistmenëve historik të Premier Ligës. Haland ka qenë përfituesi i madh i asistimeve të De Bryjnes këtë sezon.