VAR do të përfshihet në më shumë situata gjatë Kupës së Botës që do të zhvillohet këtë verë në Amerikën e Veriut, sipas një liste të re ndryshimesh rregullash.
Të shtunën u zhvillua mbledhja vjetore e Bordit Ndërkombëtar të Asociacioneve të Futbollit (IFAB) në Uells, ku ligjvënësit e futbollit miratuan një sërë rregullash të reja.
Një nga ndryshimet kryesore të këtij takimi është përdorimi i VAR në situata të ndryshme gjatë Kupës së Botës, e cila bashkë-organizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.
Që kur u fut në përdorim, VAR është përdorur kryesisht për gola, penallti dhe kartonë të kuq. Por tani është konfirmuar se në Botëror do të ketë mundësinë për ta përdorur teknologjinë edhe për goditjet nga këndi, konkretisht për të rishikuar kur është e qartë nga cili lojtar ka prekur së fundmi topi.
FIFA ka insistuar në këtë ndryshim të rëndësishëm për të korrigjuar vendime me gabime të qarta.
Në një deklaratë në faqen e tyre zyrtare, IFAB tha se VAR mund të përdoret për “goditje këndi të dhëna qartësisht në mënyrë të gabuar, me kusht që rishikimi të përfundohet menjëherë dhe pa vonuar rifillimin e lojës”.
Disa liga nuk e kanë mbështetur këtë ndryshim, me Ligën Premier dhe UEFA-n që janë kundër tij. Prandaj, përdorimi i tij është opsional dhe jo i detyrueshëm.
Gjithashtu, VAR mund të përdoret për “kartona të kuq të dhënë pas një kartoni të verdhë të dytë qartësisht të gabuar” dhe për rastet e “identitetit të gabuar” kur gjyqtari ndëshkon skuadrën e gabuar për një shkelje që rezulton në dhënien e një kartoni të kuq ose të verdhë lojtarit të gabuar./Telegrafi/


