Fitorja e djeshme kundër Teutës në shifrat 4-2 e Vllaznisë ishte një sukses që pritej prej kohësh në kampin kuqeblu. Jo se fitoret kishin munguar për shkodranët, pasi kujtojmë këtu suksesin me Kastriotin në shifrat 0-1. Por përpara tifozerisë së saj, Vllaznia kishte 2 muaj që nuk arrinte të fitonte në “Loro Boriçi”.
Shto këtu faktin se përballë ishte Teuta, që pavarësisht se nuk është në momentin më të mirë, është një kundërshtar që duhet respektuar. Tashmë të gjithë presin që shkodranët të vijojnë në këtë rrugë dhe ky të jetë një cikël i ri fitoresh për skuadrën e drejtuar nga Brdariç.
Skuadra ishte “bombastike” në 15 minutat e para ku shënoi 3 gola fantastikë. Por u duke se vetëkënaqësia e tepruar në disa momente bëri që skuadra ta vinte në diskutim edhe fitoren.
Gjithsesi kuqeblutë arritën të tregonin karakterin e duhur në një takim që po e dominonin nga fillimi në fund dhe nëse nuk do dilnin me 3 pikë me të vërtetë do ishte një mëkat.
Tashmë edhe loja e bukur e gjithë kësaj periudhe për 9 herë kampionët e vendit, u konkretizua me 3 pikë. Sukses që jep shpresë që Vllaznia të vijojë me këtë ritëm dhe të rikuperojë edhe ato pikë që mund të konsiderohen të “lëna” rrugës. Me këtë sukses të fundit shpresohet që të hapet një cikël i ri, në një sezon që ka pasur luhatjet e veta për skuadrën shkodrane.
Endri ÇINARI