Nga Endri ÇINARI

Dinamo viziton Shkodrën dhe do ketë një përballje me Vllazninë pas 10 vitesh për Superligën. Një takim që mbart shumë histori, trofe dhe lojtarë të një kalibri të jashtëzakonshëm në vite. Por, Vllaznia në Shkodër në sezonin 2010-2011, do pësonte ndoshta humbjen më poshtëruese brenda në Shkodër pikërisht përballë Dinamos.

Do ishte 25.09.2010 ku Dinamo triumfonte në “Loro Boriçi” në shifrat 0-4. Një takim ku thuajse gjysma e stadiumit la impantin pas minutës së 9-të të lojës.

Pse ndodhi kjo? Sepse në minutën e 9-të të pjesës së parë rezultati do ishte 0-3 për Dinamon. Shënon Martinena në minutën e 4-ët, Bakaj në të 6-tën e sërish Martinena në të 9-tën.

5 minutat ndoshta më të “errëta” në historinë e futbollit shkodran që vështirë se harrohen nga ata që e kanë parë atë takim. Takimi do përfundonte në shifrat 0-4 pasi sulmuesi argjentinas, Gabriel Nestor Martinena do “vuloste” tripletën e tij në minutën e 71-të të ndeshjes.

Dinamo atë vit do rrezikonte madje edhe rënien ku përfundoi në Play-Out, pavarësisht se në skuadër kishte emra si: Bakaj, Martinena, Pisha, Orelesi, Muzaka apo edhe Vila.

E ndërsa Vllaznia e mbyllet në vendin e tretë sezonin me lojtarë si: Vajushi, Sinani, Kaçi, Vujadinovic, Smjali etj. E sa herë Dinamo viziton Shkodrën ato 5 minuta të famëkeqe kujtohen gjithmonë. Të hënën pritet kapitulli i ri i këtij dueli historik të kampionatit tonë.