Nga Maringlen ZHIVANI

Trajnerët e volejbollit shkodran, Nora Deda, Ermal Kraja, Endri Jukni, Fatjon Çekini, Dorjan Tafa dhe Klodeta Zhivani janë diplomuar me sukses në kursin “Trajner Volejbolli-Niveli II FIVB”.

Ky kurs ndërkombëtar u organizua nga Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), në bashkëpunim me Federatën Botërore të Volejbollit (FIVB) dhe me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Gjatë ceremonisë përmbyllëse, Presidenti i FSHV-së, z. Erlind Pellumbi, u shpreh: “Jam i befasuar nga interesi i jashtëzakonshëm për këtë kurs. Ky entuziazëm na motivon të vijojmë me iniciativa të reja për zhvillimin e volejbollit, duke synuar jo vetëm masivizimin, por edhe rritjen e cilësisë së këtij sporti.”

Kursi u drejtua nga z. Valon Nikqi, lektor zyrtar i FIVB dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës, me asistencën e Prof. As. Dr. Altin Martiri, pedagog në Universitetin e Sporteve të Tiranës.(www.shkodrasport.com)