Të gjithë futbollistët shqiptarë të cilët kontaktohen nga menaxherë italiane duht të kenë kujdes, pasi me shumë mundësi, asnjë prej tyre nuk ka kaluar provimin për të ushtruar këtë profesion dhe mund t’i shkaktojë më shumë probleme sesa t’i ndihmojë në karrierën e tyre. Kjo pasi në Itali pjesa më e madhe e menaxherëve që janë paraqitur për të dhënë provimin e detyrueshëm që nga ky vit, nuk kanë kaluar testin.
Në konkurs kishin marrë pjesë mbi 800 menaxherë, persona të cilët kishin ushtruar gjatë këtyre viteve lirshmërisht këtë profesion duke përfituar nga leja që kishte dhënë FIFA që kushdo mund të përfaqësonte lojtarët.
Por pas dy testeve në Komitetin Olimpik Italian (një me shkrim e një me gojë) si dhe një tjetër testi në zyrat e Federatës Italiane, nga provimi si kalues me të drejtën për të ushtruar profesionin kanë dalë vetëm… 8 persona.
Emrat nuk janë bërë të ditur por ky është cilësuar si një test i bujshëm i aftësive, ose më saktësisht mangësive që kanë ata përtej Adriatikut për të ushtruar për këtë profesion, edhe pse mbahen si menaxherë me famë në botë. Sindikata e menaxherëve sportivë italianë e ka cilësuar të turpshëm këtë test dhe të vështirë përtej normales, duke akuzuar Federatën Italiane se kishte ndikuar me dashje te rezultatet për të favorizuar persona të veçantë.
Ajo ka bërë të ditur se është gati të shkojë të ankohet edhe në Gjykatën e Strasburgut që të gjithë anëtarët e saj të lejoheshin të ushtronin profesionin, edhe pse testimi praktikisht i nxirrte të paaftë. /vipsport/