Rudi Vata ka folur pas ndeshjes së Kombëtares kundër Francës, ku kuqezinjtë tanë u mposhtën me rezultatin 4-1. Ish-kapiteni i Shqipërisë deklaroi në panelin e emisionit “Ëndërr kuqezi” që Mërgim Mavraj duhet të largohet.
Sipas tij, ai nuk ka asgjë më për të dhënë për fanelën e ekipit shqiptar. Madje shkoi deri aty sa deklaroi që të gjithë futbollistët e Shqipërisë duhen rinovuar.
“Me gjithë respektin për Mavrajn, për gjithçka ka dhënë deri tani, por mendoj se ka ardhur koha të largohet. Nuk ka mundësi që ta ndihmojë më Kombëtaren. Por ne jemi në krizë të madhe.
Jemi në krizë futbolli. Këtu flitet për ëndrra kuqezi tërë kohën, por edhe kjo nuk mund të zgjasë pa fund. Të gjithë kanë ëndrra dhe flenë me ëndrra, por ama zgjohen me plan. Ndërsa ne flemë më ëndrra dhe zgjohemi me ëndrra. Nuk ka kuptim, nuk jemi kurrkund. Duhen rinovuar 23 futbollistët e Kombëtares”, tha ish-kapiteni i Shqipërisë në RTSH./newsport/