
Elvin Beqiri, kapiteni i Vllaznisë, është shprehur optimist për të ardhmen e skuadrës. Ai vlerëson faktin që kuqeblutë janë brenda objektivave të vënë nga klubi ka. Mbrojtësi thotë se tri pikët me Kukësin janë shumë të rëndësishme dhe e ndihmojnë Vllazninë për vazhdimësinë. “Mund të them se kanë qenë tri pikë me mjaft vlera për ne. Skuadra ka treguar një lojë jo si ajo me Skënderbeun, megjithatë fitimi i pikëve ishte gjëja më e rëndësishme. Duhet thënë se fitorja jonë më e madhe në këtë takim ka qenë fakti që u rikthye në stadium tifozeria e zjarrtë shkodrane.
Ndoshta dëshira e madhe për të mos i zhgënjyer mund të ketë bërë që lojtarët të ishin nën presion në fushën e lojës. Sidoqoftë, siç e thashë edhe më parë, pikët vulosin gjithçka. Kishim kohë që nuk përjetonim një atmosferë të tillë”, – është shprehur Beqiri.
Vazhdimësia “Mendoj se jemi në rrugën e duhur për të realizuar atë objektiv që na ka mbetur këtë sezon, të jemi mes ekipeve që do të shkojnë në Kupat e Europës. Kemi një ecuri shumë të mirë në këto momente dhe shpresoj që një gjë të tillë ta ruajmë edhe në të ardhmen. Skuadra ka rritje në lojë dhe rezultate, e këto janë një tregues i mirë se jemi në rrugën e duhur. Ne kemi një takim jo të lehtë në Gjirokastër. Veçanërisht çdo skuadër që kërkon të jetë në Superiore sezonin e ardhshëm do të kërkojë që pikët t’i grumbullojë në shtëpinë e vet. Këtë do të kërkojë edhe Luftëtari, por mendoj se tani ne në çdo takim shkojmë për të marrë maksimumin. Ne duhet të përfitojmë nga gjendja e mirë psikologjike që po përjetojmë. Megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të mos kalojmë në vetëkënaqësi. Do të ishte një minus i madh për ne”, – ka vijuar kapiteni.
Gjendja Beqiri ka pasur probleme në këtë start të kësaj pjese të dytë të sezonit. Ai është aktivizuar vetëm për disa minuta në fund të takimit me Kukësin, por mesa duket falë punës së mjekëve të skuadrës ai mund të jetë nga minuta e parë me shiritin në krah në përballjen e Gjirokastrës.
Admir URUÇI


