Ekipi i Vllaznisë ka vendosur t’i zhvillojë në Durrës përgatitjet e fundit për ndeshjen e rradhës për kampionat, atë me Tiranën që do të luhet të shtunën në ora 19.45 në “Air Albania”. Kuqeblutë kanë lënë Shkodrën paraditen e së mërkurës dhe do të qëndrojnë në qytetin bregdetar deri pak orë para startit të kësaj ndeshje.

Një vendim i tillë për t’u stërvitur në Durrës është marrë në bashkëpunim edhe me drejtuesit e klubit dhe arsyet kanë qenë dy: E para, për kushte më të mira stërvitore dhe e dyta, për ta mbajtur skuadrën të gjithën sëbashku në këtë pragndeshje shumë të rëndësishme.

Me ekipin kanë udhëtuar të gjithë futbollistët, përfshi këtu edhe katër lojtarët të cilët ditët e fundit kanë patur disa probleme shëndetësore. Por duket se gjendja e Aralicës, Jonuzit, Hakajt dhe Gjurgjeviç është më e mirë dhe ata pritet të jenë të gatshëm për sfidën ndaj bardhebluve.

Po ashtu, i gatshëm do të jetë edhe mesfushori francez Panos, të cilit i ka ardhur dokumentacioni nga FIFA dhe do të jetë në dispozicion të stafit për këtë takim. Përballja me Tiranën konsiderohet shumë delikate për Vllazninë dhe për këtë arsye në kampin shkodran janë duke e përgatitur ashtu si duhet.

Një humbje në këtë sfidë do ta largonte atë më shumë me objektivin dhe krejt ndryshe do të jetë në rast fitoreje. E rëndësishme është që skuadra shkodrane të mos dalë e humbur nga stadiumi “Air Albania” mbrëmjen e së shtunës, në një ndeshje ku të pranishëm pritet të jenë edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh shkodranë.

Klubi kuqeblu për t’u ardhur në ndihmë atyre, u ka mundësuar blerjen e biletave pranë stadiumit “Loro Boriçi” dhe interesimi për klasiken e futbollit shqiptar duket shumë i madh./SHKODRA-SPORT.COM/