Laçi mori një fitore të rëndësishme, kësaj radhe kundër Teutën në transfertë. Pas sfidës, trajneri i kurbinasve, Dejan Vukiçeviç, u shpreh i lumtur për këtë arritje të skuadrës së tij.

“I lumtur për fitoren dhe a ndiheni me fat nga penalltia? – Nuk duhet të fillojmë nga fundi. Kemi luajtur një pjesë të parë shumë të mirë. Teuta kishte vetëm një rast nga një faull dhe asgjë më shumë. Ne kishim dy raste me Adeleken dhe një faull me Mazrekajn. Pjesën e dytë shënuam dhe dihet që kjo gjë ndryshon ndeshje. Kemi luftuar deri në momentin e fundit. Mario është lojtari jonë. Ne jemi me fat që ndaluam një penallti në fund dhe ajo na dha fitoren sot. Me dy fitore jashtë shtëpisë jemi shumë të lumtur. Dy ndeshje që nuk kemi pësuar. Nuk kishim Allën dhe Turkajn. Kemi ndryshuar pak sistemin e lojës, por ekipi u shfaq mirë dhe nuk pësuam asnjë gol.

Çfarë ka ndryshuar te kjo skuadër dhe a po rikthehet Laçi të jetë i fortë? – E kam thënë që me ndeshjen me Tiranën që ky ekip do ndryshojë. E shikoj se si stërviten. Kemi pasur probleme në fillim. Nuk ishim mirë fizikisht. Një ekip me shumë lojtarë të rinj. Isha i sigurt që na duhej pak kohë për të bërë një ekip të mirë. dhe tani ekipi është shumë i bashkuar. Jemi shumë të organizuar dhe s’kemi asnjë problem. Problemi jonë i vetëm janë pikët, por nëse vazhdojmë kështu shpresoj shumë të jemi aty.

Sa do ju ndihmojë ky rezultat? – Çdo ndeshje është një histori tjetër. Kemi nisur kampionatin me një fitore dhe më pas nuk kemi bërë asgjë. Me tre pikët në Kamzë kundër Kastriotit dhe këto që morëm sot, dy ndeshje jashtë kemi marrë 6 pikë. Normale që ekipi do ngrihet moralisht. Nuk kemi kohë për të përgatitur një ndeshje siç duhet, kemi Partizanin brenda në shtëpi, Egnatian jashtë. duhet të rikuperohemi mirë dhe të japim maksimumin.

Ecuri edhe me kryesuesit? – Faleminderit për pyetjen. Ne do përgatitemi për të fituar. E dimë shumë mirë me kë do të luajmë. Kam lojtarë shumë të mirë. Kemi pak ditë për ta përgatitur këtë ndeshje. Do të shohim nëse do të luajnë Alla dhe Turkaj. Jam i sigurt që kemi humbur dhe Mallenarin. Duhet shkuar në spital për të parë dëmtimin e tij”, u shpreh Vukiçeviç për “Oversport”.