Për Ardit Krymin gjërat po shkojnë ashtu si duhet. Vijon të luajë rregullisht dhe me shumë pasion për skuadrën e tij të zemrës dhe e bën gjithmonë me zemër dhe me shumë pasion. Dhe si rrjedhojë tashmë ka plotësuar edhe numrin 300 të ndeshjeve të luajtura në kampionat me Vllazninë.
Pikërisht për këtë, ditën e djeshme para ndeshjes me Flamurtarin ka qenë drejtori sportiv i KF Vllaznia Vioresin Sinani që i ka dhuruar atij fanellën me numrin 300 që përkon pikërisht me shifrën e mësipërme të ndeshjeve të tij.
“300 ndeshje në kampionat me fanellën kuqeblu për Ardit Krymin. 300 ndeshje të mbushura plot emocione, sakrifica e pasion për të përfaqësuar denjësisht skuadrën e zemrës- Vllazninë”- shkruhet në postimin e klubit shkodran.
Dhe në fakt Krymi me një shifër të tillë ka hyrë në mesin e futbollistëve me numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura me Vllazninë dhe padyshim që kjo duhet ta bëjë të lumtur atë, por njëkohësisht edhe ta motivojë për të thyer të tjera rekorde në të ardhmen sepse është vetëm 29 vjeç dhe ka ende shumë për të dhënë për këtë skuadër.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


