Sulmuesi shkodran Erald Çinari është shfaqur sërish sot si protagonist për skuadrën e tij Al Jabalin në Divizioni 1 të Arabisë Saudite teks ka shënuar një gol në ndeshjen e rradhës, atë kundër ekipit Al Ula e cila është mbyllur në shifrat e barabarta 2-2.
Kanë qenë miqtë ata të cilët kanë shënuar të parët në këtë ndeshje që në minutën e 5-të, por goli i Çinarit në minutën e 37-të ka bërë që shifrat të barazohen dhe pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 1-1. Çinari ka ekzekutuar një goditje dënimi dhe me një gjuajtje të fortë, ka arritur ta dërgojë topin në rrjetën e portës kundërshtare.
Në të dytën ka qenë fillimisht skuadra e sulmuesit shkodran që shënoi edhe golin e dytë, atë të avantazhit, por që nuk ka zgjatur shumë sepse miqtë kanë shënuar sërish dhe si rrjedhojë të dy ekipet kanë ndarë nga një pikë në këtë ndeshje.
Goli i sotëm ka qenë i treti për Erald Çinarin në të parin sezon të tij në futbollin arab dhe sigurisht që ai shpreson shumë që këtë numër ta rrisë edhe më shumë në ndeshjet e ardhshme.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


