Mbrëmjen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është luajtur ndeshja në mes Vllaznisë dhe Teutës, e vlefshme për javën e fundit të fazës së parë të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj. Të dy ekipet vinin në këtë përballje me pikë të barabarta, nga 17 secila dhe ndanin vendin e katërt dhe të pestë në renditje.
Skuadra shkodrane arriti të marrë një fitore shumë të vlefshme në shifrat 88-73 dhe si rrjedhojë i ka forcuar pozitat në vendin e katërt të renditjes. Djemtë e drejtuar nga trajneri Eni Llazani e kanë dominuar këtë takim nga fillimi e deri në fund duke mos e vënë asnjëherë në dyshim fitoren.
Kuqeblutë e nisën mirë këtë përballje duke e fituar periodën e parë në shifrat 25-12 dhe këtë diferencë të krijuar në 10 minutëshin e parë, e ruajtën me kujdes deri në fund. Periodat e tjera kanë dhuruar rezultatet 18-19, 27-21 dhe 18-21.
Në këtë mënyrë, Vllaznia arriti të fitonte me rezultatin e përgjithshëm 88-73. Një diferencë prej 15 pikësh që tregon edhe për dominimin e Vllaznisë ndaj këtij rivali direkt. Thomas ka qenë pikëshënuesi më i mirë i saj me plot 27 të tilla të shënuara, e më pas Bryant (24), Parker (15), Shestani (9), Kiri (8) dhe Arnold (5).
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


