Mbrëmë, lojtarët e Barcelonës mposhtën Real Madridin me rezultatin 3:2 në Arabinë Saudite, duke fituar kështu Superkupën e Spanjës. Megjithatë, fitimet financiare nga kjo garë nuk janë aq të mëdha sa mund të kenë pritur tifozët.
Shumë tifozë mendonin se klubet spanjolle do të përfitonin shifra astronomike për pjesëmarrjen dhe zhvillimin e kësaj gare në Arabinë Saudite, por realiteti është ndryshe.
Me fitoren e Superkupës, Barcelona përfitoi gjithsej 8 milionë euro, ndërsa Real Madridi arkëtoi 7.5 milionë euro. Diferenca mes fituesit dhe humbësit në finale është vetëm gjysmë milioni euro, një shifër relativisht e vogël për standardet e futbollit modern.
Buxheti total i çmimeve të ndarë nga Shoqata Spanjolle e Futbollit për këtë kompeticion arrin në 21.3 milionë euro. Si Barcelona ashtu edhe Real Madridi përfituan nga 6 milionë euro secili vetëm për pjesëmarrjen e tyre në turne.
Përveç shumës fillestare prej 6 milionë eurosh, Barcelona mori një bonus prej 2 milionë eurosh për fitimin e trofeut, ndërsa Real Madridi përfitoi një bonus shtesë prej 1.5 milionë eurosh për vendin e dytë.
Pavarësisht se nuk është kompeticioni më i madh dhe më prestigjioz në Spanjë, Superkupa mbetet shumë e rëndësishme për shkak të rivalitetit. Përtej aspektit financiar, është një duel për prestigj, ku ekipet luftojnë fort për trofeun dhe për të ia “vjedhur” atë rivalit më të madh. /Telegrafi/


